E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksploziv linjës hekurudhore në Fushë-Krujë

Policia ka shoqëruar 15 persona dhe më pas i ka lënë ata të lirë. Ky është rasti i shtatë brenda pak kohësh, ende i pazbuluar

FUSHË KRUJË Tritol linjës hekurudhore Vorë - Fushë Krujë. Nga shpërthimi është shkatërruar linja hekurudhore që lidh Vorën me fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë. Shpërthimi mendohet të ketë ndodhur në orën 02:00 të natës, ndërsa familjarët, të cilët ndodheshin me banim pranë vendit të shpërthimit, janë trembur nga fuqia e eksplozivit të vendosur. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Fushë-Krujës, një sasi prej 800 gramë tritol mendohet të jetë vendosur në urën e Gjolës, në linjën hekurudhore. Të njëjtat burime shprehen se eksplozivi është vendosur në krahun e djathtë të linjës hekurudhore, të drejtimit Fushë-Krujë-Vorë. Nga shpërthimi është këputur shina e hekurudhës, si dhe është dëmtuar edhe ura, duke pësuar plasaritje, ndërsa në vendin që është vënë eksplozivi, dëmtimi i urës ka qenë i plotë, duke e bërë të vështirë edhe riparimin e saj. Ndërsa shpërthimi ka ndodhur në orën 02:00 të natës, sipas banorëve qw jetojnë nw kwtw zonw rreth kësaj ure, ku i ishin dëmtuar edhe xhamat e banesave, pasi copat e trasesë së hekurudhës kanë përfunduar në oborret e shtëpive. “Ka qenë më të vërtet një çaste tmerri, që kemi përjetuar, por frika për të dalë natën jashtë ka bërë që të mos lëviznim nga banesa”, shprehet njëri nga banorët. Ndërkohë që policia e Fushë-Krujës ka mbërritur në vendin e ngjarjes vetëm në orën 8.30 minuta të mëngjesit edhe pse Ura e Gjolës me rajonin e policisë nuk është më shumë se pesë kilometra.

Policia

Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia e cila ka gjetur mediat në vendin e shpërthimit, ka larguar gazetarët duke penguar ata në ushtrimin e profesionit të tyre dhe më pas ka nisur edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe mbledhjen e informacionit.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, linja hekurudhore ka dalë jashtë funksionit, ndërkohë që ajo shërbente vetëm për marrjen dhe transportimin e çimentos nga fabrika për në Durrës apo shpërndarë atë në qytete të tjera të vendit tonë. Aktualisht policia po punon për gjetjen dhe arrestimin e autorëve të vendosjes së eksplozivit, ndërkohë që janë shoqëruar në polici 15 persona, për t’u lënë më pas të lirë. Ky është i shtati rast që në Fushë Krujë vendoset eksploziv, ku më parë i janë vendosur linjave të tensionit të lartë të energjisë elektrike. Ndërkohë që vetëm një muaj më parë i ishte vendosur linjës së tensionit të lartë, që furnizon me energji elektrike fabrikën e çimentos. Në fakt shpërthimet kanë shtuar intensitetin e tyre, që nga momenti i ndërprerjes së pagesës nga ana e drejtuesve të kësaj fabrike të lekëve për ndotjen që u shkaktonte fabrika familjeve me banim përreth saj dhe protestave të vazhdueshme që kanë bërë këta banorë, për ndotjen e ambientit dhe ndërprerjen e kësaj pagese. Në Fushë Krujë kanë ardhur edhe një grup ekspertësh antiterrorist të Drejtorisë së Policisë së Durrësit, por akoma nuk dihen shkaqet dhe personat që kanë vendosur eksplozivin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›