Kamëz, rrugët me prejardhje dibrane
PESHKOPI/ HASAN PASHA
“Dibranizohet” Kamza. Këshilli Bashkiak i këtij qyteti, ngjitur me Tiranën ka ndërmarrë një iniciativë për t’u vendosur rrugëve dhe lagjeve të reja të krijuara vitet e fundit, emra me prejardhje nga rajoni i Peshkopisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit të tij, çka ka hasur në mirënjohjen jo vetëm të banorëve, por dhe të zonave nga ata vijnë. Kur e kanë mësuar këtë fakt, drejtues të bashkive e komunave të Qarkut Dibër kanë falënderuar Bashkinë e Kamzës për emërtimin e rrugëve e shesheve me emra të fshatrave, komunave e bashkive të tij. Kryetari i bashkisë Klos, Bedri Hoxha, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike për rrethin e Matit dhe kryetari i komunës Lis, Agim Selita nëpërmjet një letre falenderimi i shkruajnë kryetarit të Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu dhe Këshillit Bashkiak ku i shprehin mirënjohjen për gjestin fisnik të emërtimit të rrugëve të kësaj njësie me toponime matjane, dibrane dhe bulqizake. Këshilli Bashkiak Kamëz ka emërtuar 34 rrugë me emra të fshatrave dhe vendeve nga Qarku i Dibrës. Kryebashkiaku Mziu i ka dërguar pak ditë më parë një letër prefektit të Qarkut Dibër, ku e vë në dijeni për ndryshimet e bëra në Kamëz. “Me vendim të Këshillit Bashkiak të Kamzës, disa nga rrugët e qytetit tonë kanë marrë emrat e komunave, qyteteve, etj., që përfshihen në prefekturën tuaj”, shkruan kryebashkiaku i Kamzës, duke renditur më poshtë emrat e rrugëve: Rruga Peshkopi, rruga Bulqizë, rruga Burrel, rruga Klos, Fushë Bulqizë, Gjoricë, Kala e Dodës, Kastriot, Komsi, Lis, Lurë, Luzni, Macukull, Maqellarë, Martanesh, Melan, Ostren, Tomin, Rukaj, Selishtë, Shupenzë, Sllovë, Suç, Xibër, Zerqan, Zallë Rec, Zallë Dardhë, Kuvendi i Dibrës, Kongresi i Dibrës, rruga e Dibrës, rruga Mati, Korabi, Drini. Prefekti i Dibrës, ashtu si dhe kryetarët e organeve të qeverisjes vendore të rretheve Mat, Bulqizë e Dibër e kanë vlerësuar vendimin e Këshillit Bashkiak Kamëz. “E konsiderojmë veprimin tuaj mbi të gjitha si shenjë respekti për banorët e këtyre trevave”, shkruan në përgjigjen e tij, prefekti i Dibrës Xhafer Seiti. Kamza, sidomos Bathorja është populluar pas viteve ’90-të, kryesisht me banorë të zonave të veriut të vendit. Mijëra banorë të Qarkut Dibër, sidomos ato të zonave malore kanë lënë vendlindjen dhe janë vendosur në periferi të Tiranës. Mendohet se janë rreth 20 mijë banorë të Matit të shpërngulur nga kjo trevë, të cilët janë vendosur kryesisht në Bathore. Muaj më parë media kritikoi fort projektin e Këshillit Bashkiak Kamëz për emërtimin e rrugëve e shesheve me emra të huaj, të panjohur nga banorët e kësaj bashkie.
Emrat e vendosur nga Këshilli Bashkiak
Rruga e Dibrës
Rruga Peshkopi
Rruga Bulqizë
Rruga Burrel
Rruga Klos
Fushë Bulqizë
Gjoricë
Kala e Dodës
Kastriot
Komsi
Lis
Lurë
Luzni
Macukull
Maqellarë
Martanesh
Melan
Ostren
Tomin
Rukaj
Selishtë
Shupenzë
Sllovë
Suç
Xibër
Zerqan
Zallë Reç
Zallë Dardhë
Kuvendi i Dibrës
Kongresi i Dibrës
Rruga Mati
Korabi
Drini