Në qershor hapen ofertat
Qeveria ka në plan të ndërtojë një port jahtesh. Ministria e Buneve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ka shpallur ftesën për pjesëmarrje në procedurën konkurruese për dhënie koncesioni për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin e portit të jahteve në Gjirin e Lalzit, Kepi i Rodonit, Durrës. Kërkohet që projekti të realizohet në Gjirin e Lalzit, Kepi i Rodonit, Durrës. Ofertuesit duhet të paraqesin vetëm një ofertë.
Ofertuesit duhet të angazhohen se pranojnë kushtet e përcaktuara në ftesën për procedurë konkurruese dhe detyrimet që rrjedhin nga fitimi i procedurës konkurruese. Sigurimi i ofertës, që është në shumën prej 2% të vlerës së investimit, të dorëzohet së bashku me ofertën. Sipas ministrisë, asnjë ofertues nuk do të përjashtohet nga pjesëmarrja në procedurën e konkurrimit në bazë të shtetësisë. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është data 18.06.2009. Ofertat do të hapen në datë 18.06.2009.