Metalurgët e Burrelit, dështon gjyqi për uzinën
BURREL – Dështojnë përpjekjet e para të metalurgëve të Uzinës së Ferrokromit Burrel për të zgjidhur problemet financiare me rrugë gjyqësore. Ata paditën në gjykatën e Matit firmën koncesionare “Albanian Krom”, pasi firma nënkontraktuese e saj, “Ital Krom” ka lënë të papunë dhjetëra prej tyre. Mësohet se metalurgët kanë gjykuar se rruga e vetme për të përfituar pagat e prapambetura dhe vendet e punës është drejtësia. Por, seanca e djeshme u shty, pasi përfaqësuesit e firmës përgjegjëse për situatën e krijuar, ACR nuk u paraqitën, por kishin kërkuar me shkrim se në këtë seancë nuk mund të ishin prezentë. Kryetari i seancën Ali Koleci tha se çështja po gjykohet me kujdes dhe se duhen të dyja palët për të vendosur rreth fatit të 9 metalurgëve të parë, që i janë drejtuar gjykatës. Fillimisht uzinën e ka pasur firma “Darfo Albania”, më pas ajo i është besuar nga pala shqiptare firmës ruso-austriake ACR, ndërkohë kjo e fundit ia kaloi uzinën e Ferrokromit Burrel firmës italiane “Ital Krom” me pronar Mario Apolloni. Pas nisjes së procesit gjyqësor Gjykata e Rrethit Mat ka kërkuar të paraqiten si palë e paditur drejtuesit e firmës italiane, mirëpo në letërporosinë e ardhur në gjykatë thuhet se drejtuesit e subjektit në fjalë janë larguar dhe nuk banojnë më aty ku kanë banuar më parë. Mësohet gjithashtu, se firma “Ital-Krom” nuk e ka shpallur falimentimin, paçka se borxhet e krijuara kapin vlerën e miliarda lekëve. Firma rezulton ende e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. h.p