E Diel, 1 Nëntor 2026

Sigurimi i jetës, harta me qytetet që paguajnë më shumë për frymë

 

Të ardhurat nga sigurimi i jetës janë rritur ndjeshëm dhe kjo sidomos për kryeqytetin. Kjo, pasi për të marrë një kredi në bankë më parë duhet të jesh i siguruar për jetën në kompanitë e sigurimit që ofrojnë këtë shërbim. Sipas të dhënave më të fundit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në produktet e Jetës vihet re se prefektura Tiranë zë rreth 80% të tregut. Peshën më të madhe prej rreth 73% në të ardhurat e sigurimit të Jetës e zë produkti “Jetë Debitori”. Ky produkt i sigurimit është kërkesë e bankave të nivelit të dytë për ofrimin e kredive, individëve dhe personave juridikë. Referuar të dhënave, në prefekturat e mëdha, ku është përqendruar biznesi dhe bankat, pesha specifike e produkteve të Jetës është më e larta. Një tregues i rëndësishëm i tregut të sigurimeve është primi për frymë, i cili për vitin 2008 është rreth 2.227 lekë për frymë, me një rritje prej 350 lekë krahasuar me një vit më parë. Përsa i përket primit për frymë sipas prefekturave, prefektura e Tiranës me 4.797 lekë për frymë zë vendin e parë, e pasuar nga prefektura Gjirokastër me 3.057 lekë për frymë dhe më tej Vlora dhe Durrësi përkatësisht me 2.179 lekë për frymë dhe 2.141 lekë për frymë. Një renditje e tillë, ku Gjirokastra renditet e dyta, shpjegohet me faktin se së pari: Këtu popullsia nuk ka ritme rritje si në prefekturat e Shqipërisë qendrore dhe bregdetare dhe se banorët e kësaj prefekture nuk shpenzojnë më shumë për produktet e sigurimit, por si një prefekturë kufitare mjetet që kalojnë drejt Greqisë blejnë produktin e kartonit jeshil. Prefektura të mëdha si Durrësi dhe Vlora janë normale në këtë renditje.

Primi për frymë

4,797 lekë për frymë, prefektura e Tiranës

3,057 lekë për frymë prefektura e Gjirokastrës

2,179 lekë për frymë prefektura e Vlorës

2,141 lekë për frymë prefektura e Durrësit

Sigurimi Motorik

42.97% prefektura e Tiranës

13.58% prefektura e Durrësit

7.27%, prefektura e Vlorës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›