Kriza, qeveria firmos 250 milionë euro kredi
Fabiola Çela
Qeveria ka nënshkruar dje marrëveshjen e kredisë prej 250 milionë eurosh. Kredia do të merret nga Alpha Bank dhe Deutsche Bank. Me paratë e marra qeveria do të financojë pjesën e mbetur të rrugës Rrëshen-Kalimash. Ndërkohë të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gjatë muajt mars qeveria ka rritur ndjeshëm shpenzimet kapitale, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Marrëveshja
Kreu i Financave, Ridvan Bode, ka nënshkruar dje marrëveshjen për kredinë sindikale me Alpha Bank dhe Deutsche Bank. Kredia merret për të financuar nevojat e buxhetit të shtetit për shpenzime kapitale për vitin 2009, duke përfshirë financimin e mbetur të rrugës Rrëshen-Kalimash. Kjo kredi do të shpërndahet në dy transhe. Transhi i parë prej 95 milionë euro do të disbursohet brenda muajit maj, dhe transhi i dytë prej jo më tepër se 155 milionë eurosh, që do të agregohet nga sindikata e gjerë, do të shpërndahet brenda muajit qershor. “Në transhin e parë, bankave rregulluese iu bashkua dhe Banka e Pireut (Tirana Bank) në rolin e Rregulluesit Kryesor të Bashkuar (Joint Lead Arranger) me një kontribut prej 20 milionë eurosh, si dhe Banka Kombëtare Tregtare me një kontribut prej 11 milionë eurosh. Një numër i madh bankash të tjera, me aktivitet ndërkombëtar, por edhe lokal, kanë shprehur interes për t’u përfshirë në sindikatën e gjerë që do të disbursohet në formën e një transhi të dytë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Financave. Marrja e kësaj kredie do të rrisë stabilitetin financiar në vend dhe do të zvogëlojë ndjeshëm nevojën e qeverisë për të financuar buxhetin nga tregu i brendshëm bankar. Ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë është një ndër premtimet elektorale të qeverisë demokrate. Zyrtarë të lartë të qeverisë kanë premtuar se pjesa shqiptare e kësaj rruge do të përfundojë 15-ditëshin e parë të muajit qershor. Gjatë këtyre viteve ky projekt, i cili cilësohet si më madhori i qeverisë demokrate, ka marrë pjesën e luanit në fondin e investimeve, pasi pjesa më e madhe e parave si nga financimi i brendshëm dhe ai i jashtëm është destinuar për përfundimin e kësaj rruge.
Treguesit
Qeveria ka zgjidhur “qesen” këtë prag fushate. Të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se gjatë muajit mars shpenzimet kapitale kanë pësuar rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. E thënë ndryshe, këtë vit si një vit elektoral që është, qeveria ka rritur ndjeshëm shpenzimet për investime dhe kryesisht ato rrugore. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, në rritje kanë qenë edhe treguesit e tjerë të buxhetit. Të ardhurat tatimore dhe ato doganore këtë vit kanë qenë më të larta se marsi i vitit të kaluar.
Treguesit
Mars ’08 Mars ’09
Totali i të ardhurave 63,594 72,289
Të ardhura tatimore 60,420 64,320
Ttatimet dhe doganat 46,867 48,261
Totali i shpenzimeve 53,098 76,042
Shpenzimet korente 48,032 57,842
Shpenzime kapitale 5,066 18,201
Financimi i brendshëm
i deficitit -10,589 2,930
* Të dhënat janë në milionë lekë