Banorët e Borjes: Do largohemi në Kosovë nëse nuk hapet kufiri
KUKES - Radikalizohen protestat e banorëve të fshatit Borje në komunën Shishtavec të Kukësit. Ata kanë nënshkruar një peticion kolektiv, ku kërkojnë hapjen e pikës së kalimit kufitar me Kosovën brenda datës 15 maj, ndryshe protesta e tyre do të zgjerohet duke kaluar masivisht dhe në Kosovë, duke bllokuar rrugët e atjeshme, duke mos lejuar hapjen e qendrave të votimit, si dhe bojkotin e shkollës në fund të vitit shkollor.
Peticioni është nisur në drejtim të presidentit, Kryeministrit, kryetares së Kuvendit, ministrit të Brendshëm dhe atij të Jashtëm, Avokatit të Popullit dhe instancave lokale në Kukës. Në emër të 1200 banorëve të fshatit, kryetari i tij, Sevahir Dokle thotë se hapja e pikës së kalimit të kufirit është jetike për banorët.
Në një intervistë për “Panorama”, ai thotë se kjo kërkesë ka rënë në vesh të shurdhër prej vitesh. Madje, në këtë kohë kur Shqipëria kërkon heqjen e vizave me BE-në dhe hyn në NATO, ende me Kosovën ka një regjim të ngurtësuar të kufirit.
Çfarë përmban peticioni që fshati juaj ka nënshkruar?
Kërkesa jonë është një dhe e vetme dhe e bërë publike prej vitesh. Kërkojmë rihapjen e pikës së kalimit të kufirit me Kosovën. Në vitin 2005, me vendim të qeverisë së atëhershme pika u rihap vetëm në letra se praktikisht asnjëherë nuk funksionoi. Kjo pikë është jetike për ne. Kemi pronat andej me kadastër. Kemi farefisin tonë. Në fshatin fqinj dhe në Dragash, që është vetëm 3 km larg, ne marrim furnizime, ilaçe e çdo gjë tjetër, pasi në 6 muaj të vitit jemi të izoluar nga pjesa tjetër e Kukësit. Pikat e tjera të kalimit janë shumë larg.
Ka pasur dhe herë të tjera ndalime dhe keqtrajtime?
Mos të përmendim kohën e zezë kur ishin serbët në kufi. E kemi paguar me jetët e banorëve të fshatit tonë. Por është e çuditshme se edhe pas çlirimit të Kosovës është thuajse i njëjti regjim kufitar. Një banor i fshatit tonë vdiq para tre vitesh në spitalin e Tiranës nga keqtrajtimet e ushtarëve të kufirit nga KFOR-i. Kemi arrestime, keqtrajtime dhe gjoba që në total shkojnë 20 mijë euro. Kërkesa jonë nuk është politike as e kundërligjshme, por thjesht një kërkesë e drejtë që na mohohet. Hapi i parë është bojkoti i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Më pas, fëmijët do t’i largojmë nga shkolla derisa të kalojmë të gjithë në pjesën kosovare.