E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamëz, vritet trajneri i atletikës

 Fatos MahmutajEkzekutohet më 6 plumba trajneri i atletikës. Ngjarja e rëndë, ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 17:00 te dera e një lokali në Kamëz, pranë kompleksit sportiv të stërvitjes së skuadrës së Kombëtares, pranë shkollës së mesme sportive “Loro Boriçi”. Viktima është 56-vjeçari Hasan Rakipi, i cili u qëllua nga një person i panjohur me gjashtë plumba pistolete, ndërsa vrasësi ka mundur të largohet pa u vënë re nga asnjë prej dëshmitarëve të shumtë okularë të ngjarjes. Sipas policisë së kryeqytetit ekzekutimi i tipit mafioz i 56 vjeçarit ka ndodhur te dera e lokalit të shtetasit A.G. ku viktima kishte shkuar për të ngrënë pasi kishte drejtuar stërvitjen e njërës prej skuadrave të moshave, në të cilën ishte përgatitës atletik. Në momentin që 56 vjeçari kishte dalë nga dera e lokalit dhe ishte drejtuar për tek makina e vet, tip “Benz” me targë TR6534N, për të vendosur xhupin në sedijen e pasagjerit, ka hapur derën e djathtë të mjetit, (e cila ishte thuajse ngjitur me derën e lokalit). Në këtë moment vrasësi është afruar nga pas dhe i ka shkrepur plumbin e parë në pjesën e prapme të kokës, ndërsa kishte puthitur armën me qafën e viktimës. Ky plumb i ka dalë poshtë mjekrës. Pas kësaj ai ka qëlluar edhe 5 plumba të tjerë të trup, teksa viktima është rrëzuar përtokë. Për fat të keq atë moment ka nisur të binte shi, moment i cili është shfrytëzuar më së miri nga autori i krimit, çka e ka kamufluar, qoftë atë qoftë krimin. Pas makinës së Rakipit ka pasur disa makina të tjera të parkuara, ndërsa pak më pas kanë qenë mjetet e kolegëve të tij të skuadrës, si dhe sportistëve. Dëshmitarët e shumtë të pyetur dje nga policia pohuan se nuk kishin parë dhe dëgjuar asgjë, duke hedhur dyshimin se vrasësi ndoshta ka përdorur pistoletë me silenciator. Madje disa prej tyre të pyetur nga hetuesit në vendin e ngjarjes pohuan se kishin mësuar ngjarjen vetëm kur kishin parë viktimën të rrëzuar përtokë dhe të mbuluar me gjak. Pas ekspertizës së bërë në vendngjarje policia dërgoi trupin e pajetë në murgun e kryeqytetit ku pas autopsisë iu dorëzua familjarëve. Pas kësaj blutë e sektorit të vrasjeve shoqëruan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për t’iu marrë shpjegime mbi ngjarjen rreth 20 persona, banorë të lagjes ku ndodhi krimi, sportistë dhe kolegë të viktimës, si dhe pronarët dhe punonjësit e lokalit ku ndodhi krimi. Në dëshmitë paraprake të mbledhura në vendin e ngjarjes policia përjashtoi pistën e ekzekutimit të viktimës pas një grindje çasti. Tashmë po hetohet në mundësinë e ekzekutimit të tij nga ndonjë person që mund të ketë lidhje me përjashtimin nga skuadra, prej trajnerit Rakipi. Sipas policisë, ndoshta Rakipi ka larguar nga skuadra ndonjë person, duke krijuar konflikt pasojë e të cilit ishte ekzekutimi i djeshëm. Ndërkohë agjentët e sektorit të vrasjeve në polici pohojnë se paralelisht me këtë po hetohet edhe për ndonjë pistë tjetër, që mund të ketë lidhje me punën e 56 vjeçarit. Kush ishte Hasan Rakipi?Hasan Rakipi 56 vjeç mësohet se është me origjinë nga zona e Kërrabës së Tiranës. Ai njihet si një nga ish-sportistët me emër të ekipit “Dinamo”, ndërsa profesioni i tij është atlet. Policia pohoi dje se Rakipi banon në lagjen Brakë të kryeqytetit ndërsa nuk njihet si person që ka pasur probleme më parë. Ai prej disa kohësh punonte si përgatitës atletike në ekipin e moshave në Kamëz, ndërkohë që policia pohoi se këtë profesion ai e kishte ushtruar edhe privatisht duke përgatitur mjaft sportistë për rreth dy dekada. Ndërkohë bëhet e ditur se 56 vjeçari Rakipi është nga atletët shqiptarë, drejtues të ultramaratonës prej 18 personash të cilët përshkruan në këmbë rrugën Tiranë - Prishtinë në tetor të vitit të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›