E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtaraku, stafilokoku “pushton” sallat

 zirina llambroPezullohen operacionet në Spitalin Ushtarak. Për ironi quhet stafilokoku i artë, por në fakt është një prej mikrobeve më të rrezikshëm që ka "pushtuar" sallat operatore të këtij spitali. Pas mbjelljeve të kryera në to, ka rezultuar se janë super të infektuara prej tij. Shëndeti i pacientëve që futen në thikë kërcënohet seriozisht, pasi mikrobi mund të shkaktojë infeksione të rënda në plagë. Ditën e premte, mjekët janë lajmëruar me anë të një urdhri të posaçëm se nuk do të kryhen ndërhyrje, deri sa të përfundojë dezinfektimi. Burime nga spitali pohuan për gazetën se edhe të hënën sallat do të jenë të mbyllura. Përjashtim do të përbëjnë vetëm rastet urgjente që do të operohen në një sallë të posaçme. Burime nga stafi i mjekëve bëjnë me dije se e kishin ngritur që më parë problemin e infektimit të sallave me mikrobe. "Kemi pasur dhjetëra pacientë, të cilët pas operacionit u është infektuar plaga dhe nga analizat ka rezultuar se bëhej fjalë pikërisht për mikrobe që nuk mund të merreshin askund tjetër veçse në sallë", sqarojnë mjekët. Sipas tyre, protokolli i dezinfektimit të sallave duket se nuk zbatohet siç duhet. Mbjelljet për të parë sterilitetin duhet të bëhen minimalisht një herë në javë dhe jo njëherë në muaj a më gjatë, kur situata bëhet kritike. "Këto lloj infeksionesh, përveçse duan një trajtim të gjatë me antibiotikë, mund të bëhen aq rezistente sa të kërcënojnë edhe jetën e të sëmurëve, sidomos kur bëhet fjalë për plagë kritike", sqarojnë mjekët. Ata shtojnë se nëse sallat, që duhet të jenë ambientet më sterile të spitalit, janë në këtë gjendje, atëherë gjendja e pavijoneve duhet të jetë akoma më e rëndë. Në to fluksi i pacientëve dhe familjarëve që hyjnë e dalin është tepër i lartë.DrejtoriaEdhe për efekt të ditës së shtunë si ditë pushimi, dje ishte e pamundur të kontaktohej në rrugë telefonike me drejtuesit e Spitalit Ushtarak. Prononcimi i vetëm erdhi nga shefi i laboratorit të higjienës dhe epidemiologjisë, Luan Nikollari. Ai pranoi mbylljen e sallave dhe infektimin e tyre me stafilokok. Por nga ana tjetër deklaroi se situata nuk është aspak shqetësuese. Këto, sipas tij, janë procedura rutinë që bëhen për të mbajtur nën kontroll infeksionet. "Ne bëjmë sistematikisht mbjellje dhe për rrjedhojë, blloku operator izolohet e dezinfektohet sa herë kemi prezencë tej normës së mikrobeve. Ndodh në çdo spital. Ditën e hënë, ne do të bëjmë sërish mbjelljet për të parë si paraqitet gjendja, dhe puna do të rinisë normalisht", tha Nikollari. Duke ju referuar të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, rreth 50% e sallave operatore në spitalet tona publike janë të infektuara me mikrobe. Më problematike paraqitet situata në spitalet e mëdha si QSU dhe ai ushtarak, ku kryhet edhe gama më e madhe e ndërhyrjeve. Specialistët vërejnë se rreth 70% e pacientëve marrin një infeksion të dytë në spitalet tona, veç sëmundjes që kanë. Kjo, sipas tyre, vjen pasi nuk zbatohen siç duhet rregullat e higjienës të cilat janë të parashikuara në një protokoll të veçantë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›