E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe: Preferoj Francën ose Gjermaninë në grup

 Leonard Karaj Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe shpreson të ketë në grupin për kualifikimet e EURO 2012-ës, nga vazoja e elitarëve, Gjermaninë ose Francën. Tekniku do të jetë i pranishëm nesër në hedhjen e shortit në Varshavë së bashku me presidentin Duka. Sipas teknikut kroat që të dyja këto skuadra luajnë një futboll më të organizuar dhe kolektiv ndaj është edhe më e lehtë që të përballesh me to. “Do më pëlqente të përballeshim me Gjermaninë, ose më mirë të them në përgjithësi preferoj të luajmë me skuadra që zhvillojnë lojë të organizuar, jo me skuadra që kanë individualitete të mira, që zhvillojnë lojë kreative me lojtarë sulmues si, Holanda apo Spanja. Do të më pëlqente edhe Zvicra, Turqia e Finlanda. Nga vazoja e katërt ndonjë skuadër e vendeve balltike dhe nga ajo e fundit, ndonjë skuadër e lehtë si San Marino apo Luksemburgu, por jo Malta pasi nuk është ndonjë ekip që të motivon”, ka pohuar Kuzhe.Kroacia Më tej tekniku pohon se nuk dëshiron të përballet ndaj Kombëtares së vendit të tij, Kroacinë, sfidë që do t’i krijonte shumë emocione. “Nuk do më pëlqente të luaja kundër Kroacisë, pasi është vendi im dhe do të ishte një përballje emocionale për mua. Ata kanë një skuadër të mirë dhe ne do kishim më shumë shanse për të zhvilluar ndeshje të mira përballë Francës ose Gjermanisë sesa ndaj tyre”, ka vazhduar Kuzhe. Për ndeshjet kualifikuese të këtij evropiani, të cilat do të nisin në shtator të këtij viti, trajneri konfirmon se do të mbështetet tek grupi që ka kolauduar gjatë ndeshjeve të fundit për kualifikimet e botërorit 2010. ObjektiviAshtu sikundër edhe pjesa më e madhe sportdashësve shqiptarë edhe Josip Kuzhe ëndërron një kualifikim edhe pse sipas tij një gjë e tillë duket jo edhe aq reale. “Unë shpresoj, pse jo të mos shpresojmë. Ndoshta, mund të tingëllojë si diçka jo reale, por askush nuk na ndalon të shpresojmë. Unë kam ardhur këtu për të qenë i suksesshëm. Mendoj se edhe lojtarët janë të motivuar, tifozeria na pëlqen kur luajmë mirë, atëherë na lejoni ta provojmë edhe kualifikimin”, ka përfunduar Kuzhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›