Ministria “rrit” borxhin, eurobondi 350 mln euro
Ministria e Financave,ka mbyllur fazën e parë të procesit të emetimit të eurobonos me vlerë 300-350 milion euro, ku 15 institucione financiare ndërkombëtare paraqitën ofertat e tyre. Ajo që bie në sy në njoftimin e ministrisë është fakti që këtë herë vlera e eurobondit është rritur me rreth 50 milionë euro por kjo është lënë e hapur. Faza e dytë në vazhdim konsiston në studimin që do t'ju bëhet ofertave të paraqitura deri në 5 shkurt, për të përzgjedhur pesë më të mirat që do të konkurrojnë më tej. Dje Ministria e Financave ka bërë të ditur se synon që të përfundojë procesin e emetimit të eurobonos brenda muajit maj. Kjo kohë përkon edhe me plotësimin e vitit të parë të kredisë sindikale të marrë vitin e kaluar dhe që jep mundësinë e shlyerjes së kësaj kredie dhe zëvendësimin e saj me eurobono e cila do të ketë një normë interesi cilësisht më të ulët. Rreth 200 milionë euro do të shkojnë për shlyerjen e kredisë ndërsa pjesa tjetër për financimin e deficitit. Kjo është hera e parë që Shqipëria del në tregun ndërkombëtar për të marrë borxh përmes procesit të emetimit të eurobondit. Procedurat për këtë borxh kanë filluar në ditët e para të janarit me publikimin e kërkesë ofertave. Në faqen e saj zyrtare Ministria e Financave ka publikuar këtë kërkesë duke e justifikuar me termin e "financimeve të përgjithshme" dhe gjatë kësaj kohe ajo ka dhënë detaje lidhur me interesin që ka shoqëruar këtë dalje të parë në tregun ndërkombëtar.