Pezë, bllokohen 15 kilogramë hashash Lazarati, i presuar
TIRANE – Policia e Tiranës vuri dje në pranga një 36 vjeçar, ndërsa i kapi 15 kilogramë hashash të presuar gati për ta trafikuar në Itali. Burime zyrtare të policisë së kryeqytetit, pohuan dje se i arrestuari është Alfred Tufa, banor i fshatit Pezë të Tiranës, ndërsa lënda narkotike u gjet në banesën e tij. Policia pohoi se prangosja e tij u bë në kuadër të operacionit të koduar “Kasollja”, ndërsa origjina e lëndës narkotike dyshohet se është fshati Lazarat i Gjirokastrës. Droga ishte sjellë nga Lazarti në Tiranë veç dy ditë më parë dhe i ishte dorëzuar Tufës, i cili po përgatitej për ta dërguar atë drejt Italisë. Agjentët e sektorit të antidrogës në policinë e kryeqytetit, kishin siguruar paraprakisht informacione për lëvizjen e narkotikut dhe kishin nisur survejimin e të riut nga Peza. Gjatë paradites së djeshme pas një ndërhyrje të shpejtë policia mundi të vinte në pranga Tufën, duke kapur në të njëjtin moment edhe sasinë e drogës, e cila ndodhej në 14 pako të presuara. Pas kësaj policia pohoi se paraprakisht janë hedhur dyshimet se kjo sasi narkotikësh, e konsideruar nga ekspertët e cilësisë së lartë, i përkiste një grupi trafikantësh, të cilët do e dërgonin në Itali. Aktualisht blutë e antidrogës po punojnë për zbardhjen e të gjitha detajeve të këtij trafiku duke filluar nga transportuesit nga Lazarati në Tiranë, si dhe pjesën tjetër të grupit që do e dërgonte në Itali. fa.ma.