Kamikazet ose vejushat e zeza
Grupet terroriste çeçene kanë rekrutuar vazhdimisht gra për të kryer akte terroriste, mes të cilave ato të vendosjes dhe shpërthimit të bombave. Këto gra njihen si “vejushat e zeza”. E veçanta e tyre është se janë të etura për t’u shndërruar në martire. Kanë brenda vetes dëshira për hakmarrje makabre, dëshira për të parë rusët në ditë të keqe. Gjithë ky mllef i errët, që i nxit për të marrë veprime ekstreme ndaj jetës së të tjerëve, vjen nga një vuajtje e jashtëzakonshme personale. Ato kanë përjetuar vrasjet dhe humbjet e njerëzve më të dashur, duke filluar nga fëmijët, prindërit, burrat e të afërmit e tyre gjatë dy luftërave në çeçeni që u zhvilluan në vitet ’90. Parimi i “hakmarrjes së përgjakshme” është jashtëzakonisht i fortë mes grupeve etnike në Kaukazin e Veriut dhe ata që kanë mundur t’u mbijetojnë tragjedive dhe të jenë ende gjallë shndërrohen në qenie që gjenerojnë hakmarrje e vrasje. Detyra e tyre e vetme është ajo e shkaktimit të vuajtjeve të mëtejshme atyre që u kanë marrë njerëzit e dashur. Por jo të gjithë motivohen nga dëshira e hakmarrjes personale, apo nga indoktrinimet e luftës së shenjtë ndaj “rusëve të abesë”. Ka raste që flasin edhe për shantazhe dhe kërcënime ndaj grave të ndryshme. Bëhet fjalë për mospagesa borxhesh, apo për përdhunime dhe më pas refuzime nga ana e shoqërisë ndaj këtyre grave të përdhunuara që shndërrohen menjëherë në “femra të ulëta”. Në këto kushte braktisjeje ata shndërrohen në kontingjent të kamikazëve. Duhet që të kemi parasysh se shoqëria çeçene është një shoqëri shumë patriarkale dhe e prapambetur. “Vejushat e zeza”, të njohura për rusët me emërtimin “Shahidi”, nuk ia dolën mbanë që të shpërthenin dinamitin që mbartnin në trup në rastin e pengmarrjes së rusëve në një teatër Moskovit, vite më parë. Kjo, pasi në të ndërhynë menjëherë forcat speciale që i bllokuan fillimisht me gaz lotsjellës. Ka nga ata që thonë se gratë nuk vepruan, sepse ishin në pritje të urdhrave nga shefat, urdhra që nuk erdhën kurrë. Tashmë është zbuluar se dy “vejusha të zeza” ishin përfshirë edhe në masakrën e madhe të shkollës së Besllanit, ku humbën jetën 340 persona, ndër të cilët 86 ishin fëmijë. Sipas raporteve të asaj ngjarjeje, të paktën njëra nga gratë që ishin aty kishte refuzuar që të vriste njerëz dhe për këtë ishte ekzekutuar në vend nga një mashkull.
Këto gra, kur nisen në një mision, e dinë që ai do të jetë gjëja e fundit që do të bëjnë në këtë jetë, sepse më së shumti bëhet fjalë për misione vetëvrasëse. Ndaj ato nuk tentojnë ta fshehin fytyrën. Për rusët është e vështirë të kuptojnë shkallën e dhimbjes dhe urrejtjes që mbartin me vete këto gra të lënduara, jeta e të cilave shndërrohet në vdekje për të tjerët. Por ato s’janë veçse disa viktima të një lufte të padrejtë që masakroi çeçeninë dhe çeçenët për vite me radhë.
Këto gra janë pjesë e listës së gjatë të të ashtuquajturave “motra”, ose gra që kanë sakrifikuar në emër të xhihadit çeçen. Ato veshin breza të mbushur me dinamit dhe janë të gatshme të vetësakrifikohen e të shkaktojnë një kasaphanë me urdhrin e shefit të tyre. Një nga herët e para kur ato u shfaqën publikisht ishte pengmarrja e rusëve në teatrin moskovit të Dubrovkës në vitin 2001. Pas kësaj tragjedie ato do të riktheheshin sërish në skenë mes viteve 2002–2004 dhe këtë herë në stacionin e metrosë së Rizhskajas gjatë një koncerti rok. E më pas sërish në Moskë, në Rostok apo Tula. Pas hedhjes në erë, trupat e tyre të pajetë nuk kërkohen nga askush. Të paktën sipas asaj që këto gra besojnë, trupi i tyre shkon menjëherë në parajsë, duke qenë se ato konsiderohen martire. Për grupimet në të cilat bëjnë pjesë këto gra jeta është gjëja që ka më pak vlerë. E si mund të ketë vlerë jeta për një grua që ka pësuar humbje të mëdha personale dhe si të vetmen mundësi për të shfryrë brengën e saj sheh hakmarrjen.
IntervistaMarek Halter është shkrimtar e filozof francez dhe njëherazi njohës shumë i mirë i çeçenisë dhe të gjitha problemeve të saj. Sipas tij, këto gra që quhen “vejushat e zeza”, por thërriten edhe “të fejuarat e Allahut”, janë një nga trashëgimitë e dhimbshme të luftës në çeçeni dhe të terrorizmit çeçen të Shamil Bassajevit.
Siç ndodhi në pengmarrjen e teatrit rus në vitin 2002 e më pas edhe në tragjedinë e shkollës së Besllanit dhe së fundi në sulmin e dy ditëve më parë në metronë e Moskës, të ashtuquajturat “vejushat e zeza” po shfaqen sërish. Po nga vijnë ato?
Kohët e fundit po flitet shumë për celulat e Al-Kaedës në Sudan, në Somali dhe në Jemen. Megjithatë, që kur Afganistani është ushtarakisht i pushtuar nga NATO, kështjella e re e të gjithë islamikëve në botën arabe është bërë Kaukazi. Gratë kamikaze, ose “shahidkat”, vijnë thuajse të gjitha nga ky rajon. Sigurisht në rastin e sulmit të fundit duhet të pritet rezultati i hetimeve nga Moska për të parë prejardhjen e grave në këtë rast, por unë personalisht nuk do të befasohesha nëse do të dilte se gratë e përfshira në sulmin e fundit janë nga Jemeni, Arabia Saudite, apo edhe veta nga Afganistani.
çfarë simbolizon për to ngjyra e zezë?
E zeza është ngjyra e dhimbjes dhe e errësirës që këto gra kanë brenda vetes dhe në të cilën janë zhytur. Ato janë vejushat e “luftëtarëve” që kanë vdekur në fushat e betejës, apo të vetë kamikazëve që janë shpërthyer me gjithë eksplozivët që kanë pasur. E zeza është edhe shenja e zisë që ato mbajnë për humbjet e tyre. Ka raste që një familje jeton me paratë që merr për sakrifikimin në emër të Allahut të një prej anëtarëve të saj.
Disa gra kamikaze janë hedhur në erë edhe kur kanë qenë me barrë. Si do ta interpretonit një veprim të tillë?
Mos harroni se kemi të bëjmë me raste kur feja shndërrohet në sinonim të marrisë. Por janë edhe akte që tregojnë një dobësi ekstreme, mbi të gjitha dobësinë e një sistemi. Nëse milicitë paramilitare të Kryeministrit aktual çeçen Kadiriv, ua ndalojnë terroristëve që të operojnë në Grozni, ata shkojnë e kryejnë sulme në vende të tjera, që janë vende të “brishta”, si për shembull rasti i metrosë së Moskës. Shikoni, në Rusi jetojnë miliona myslimanë dhe disa prej tyre mendojnë sigurisht çmendurisht, se “të pabesët” duhet t’i nënshtrohen shpatës së ndëshkimit të Allahut. Për të bërë një gjë të tillë shërbejnë kamikazët, pavarësisht se mund të jenë edhe gra me barrë.
Shumë prej tyre as nuk instruktohen në lidhje me aktin që kryejnë. Ato thjesht mbajnë veshur në trup një jelek, apo një brez me dinamit e lëndë eksplozive, të cilat do të hidhen në erë me telekomandë në momentin e duhur nga një i panjohur që ndodhet pranë vendit të kasaphanës. A nuk shndërrohen kështu këto gra në pre të terroristëve?
Në fakt bëhet fjalë për nënshtrim. Në fund të fundit edhe vetë fjala mysliman ka kuptimin “i nënshtruar”. Tani për Kuranin, gruaja më “e nënshtruar” është virgjëresha Mari, e cila në librin e islamit përmendet më shpesh se sa në vetë Biblën.
Sipas policisë ruse, pjesa më e madhe e këtyre grave ka një moshë nga 15 deri 19 vjeçe. A mos ndoshta duhet folur për vajza e jo për gra kamikaze?
Po, disa janë vajza të shituara nga vetë prindërit e tyre. Të tjera janë grabitur, pak a shumë siç ndodh në Kamboxhia, nën regjimin e Kmerëve të Kuq, kur fëmijët u merreshin me dhunë prindërve për t’i indoktrinuar dhe për t’i përgatitur për beteja. Vajza të tjera nxiten edhe nga vetë bashkëshortët, apo nga familjet. Ajo që është e rëndësishme, që pas secilës prej këtyre vajzave fshihet një histori dhimbjeje dhe vuajtjeje e jashtëzakonshme. Kështu për shembull në Sudan dhe Jemen ka celula të posaçme terroriste që përgatisin njerëz për të kryer atentate edhe për vitet e ardhshme, kur subjektet që janë fillimisht të vegjël të jenë të gatshëm për të vrarë.
#