Mjerim dhe uri në familjet shkodrane
Niveli i ulët ekonomik dhe papunësia vazhdojnë të jenë shqetësuese në qytetin më të madh verior, në Shkodër. Prej dekadash ky qytet është radhitur ndër rrethet më problematike, ku njerëzit e kanë të vështirë të gjejnë punë dhe gjithçka varet nga ndihma ekonomike modeste, që marrin nga shteti. Por ka dhe nga ato familje, të cilat po mbijetojnë dhe pa ndihmë ekonomike. Një nga këto familje është ajo e Age Peposhit, nëna e tre fëmijëve. Ajo ka 8 vite që jeton duke shkruar emrin në fletoren e dyqanit dhe ende nuk ka shlyer borxhin e 8 viteve, siç shprehet edhe vetë. Mungesa e një pune dhe mosdhënia e një ndihme ekonomike e ka detyruar të pranojë se po mendon të kryejë veprime ekstreme, deri në vetëflijimin e gjithë familjes. Ndihma që i jep lagjja ku jeton ka qenë tepër e madhe, por, tashmë, komshinjtë i kanë ofruar një tjetër lloj ndihme, duke i thënë “tashmë nuk mund të japim më dhe mund të vish të hash bukë me ne”. Kjo e ka prekur tej mase gruan e vuajtur, e cila shprehet “nuk më ka mbetur të bëj më asgjë, vetëm nëse mbytem do zgjidhen hallet e mia. Jam në një situatë që nuk ka asnjë zgjidhje, nëse dikush nga shteti i dëgjon këto fjalë halli le të më ndihmojë të paktën duke me dhënë një ndihmë ekonomike. Nuk kam ku të marr më bukë borxh, fëmija ulëret nga dhimbja veshit për një ilaç që kushton 200 lekë. Fëmijët e mi flenë pa ngrënë. Vetëm qaj e së bashku me mua herë pas here qajnë dhe fëmijët”.
Situata në këtë familje I përngjan asja të kohës së Migjenit. Një fëmijë i vogël që qan në pamundësi për t’u kuruar nga dhimbjet e veshit sepse mungojnë paratë për ilaçe. Ndërsa vëllai tjetër nuk shkon në shkollë se i vjen turp pasi nuk ka këpucë. Por shërbimi social në Shkodër duket se nuk e ka parë të arsyeshme që t’i akordojë një ndihmë ekonomike nënës së këtyre fëmijëve, ndërsa të tjera familje abuzuese zënë vendin e hallexhinjve.
Në këtë lagje, pak metra më larg ndodhet familja e Nikollë Lulashit. Në këtë familje rrëfehet një tjetër histori po kaq e rëndë. Familja Lulashi, burrë e grua invalidë, prej 7 vitesh mbajnë të birësuara dy vaja 12 dhe 14 vjeçe, pasi nëna e tyre është vrarë në vitin 2003 për gjakmarrje dhe babai është zhdukur për të shpëtuar. Shqetësimi për këtë familje është fakti se pavarësisht se jetojnë në kushte të vështira vetëm me një ndihmë ekonomike minimale nga shteti, njërës nga vajzat jetime që i takon të marrë pensionin e jetimit nga shteti deri në moshën 24 vjeçe, kjo ndihmë i refuzohet. Duke folur për gazetën, Lulë Lulashi shprehet se “i kam birësuar vajzat e motrës pas fatkeqësisë që pësuan, pavarësisht se jetojmë në kushte të mjerueshme dhe do kishim dashur më shumë ndihmë nga shteti ndodh e kundërta. Shteti nuk po na jep atë që na takon. Njërës prej vajzave nuk i jepet pensioni i jetimit. Me ligj i takon deri në moshën 24 vjeçe. Vajza është 12 vjeçe. Po i rrisim me shumë sakrificë. Jetojmë duke marrë borxh në dyqane, duke shkruar emrin në fletore. është gjynah që të vidhet leku i jetimit. Ndaj duhet që strukturat përkatëse të ndërhyjnë që të tilla raste të mos ndodhin”.
Pavarësisht se çfarë bëhet me politikën, këta njerëz të varfër nuk duan t’ia dinë. Të gjithë këta hallexhinj prej dekadash i bashkon beteja për mbijetesë, beteja për pak bukë.
#