Mikrobet, punonjësit e kuzhinave, pa libreza shëndeti
Intoksikimet masive, kryesisht ato të ndodhura gjatë ceremonive festive, kanë pasur si burim punonjësit e kuzhinës, nga ku është servirur ushqimi. Ata, sipas burimeve zyrtare të Inspektoratit të Higjienës, kanë qenë mbartës të mikrobeve të ndryshme dhe pasi kanë trajtuar ushqime dhe i kanë servirur ato për shumë persona, i kanë bërë këta viktimat të intoksikimit. Vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2010 janë regjistruar tre raste helmimesh në masë. Sipas nëndrejtoreshës së Drejtorisë së Shëndetit Publik në Fier, Shpëtime Kalemi, mësohet se helmimet në masë nuk kanë ardhur si pasojë e ushqimeve jashtë standardeve, por si pasojë e mikrobeve që mbartin punonjësit e kuzhinave, deri dhe specialistët më të lartë të tyre.
“Nga kontrollet për libreza shëndetësore të punonjësve të kuzhinave në mjaft lokale dhe restorante, ka dalë se pothuaj 90% e tyre nuk janë të pajisur me këto libreza. Duke mos qenë të pajisur me libreza, ata kanë fshehur sëmundshmërinë e tyre dhe për pasojë kanë qenë burimi i mjaft infeksioneve me bazë bakteriale. Pranohet fakti se në vitet e mëparshme kontrolli ka qenë i dobët, apo pothuaj nuk është zhvilluar asnjë i tillë”, është shprehur nëndrejtoresha e Shëndetit Publik në Fier, Shpëtime Kalemi.
Duke përmendur edhe rastet e tre helmimeve masive, nëndrejtoresha Kalemi ka thënë se për të mosregjistruar raste të tjera helmimi ka nisur kontrolli i të gjithë punonjësve të kuzhinave në të gjitha restorantet e qarkut.
“Inspektorati i Higjienës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Fier ka nisur një kontroll të imtësishëm te të gjitha baret dhe restorantet që shërbejnë edhe me asortimente të kuzhinës. Po ashtu, kontroll po ushtrohet edhe tek ato njësi tregtare që ofrojnë ushqime ‘fast food’ apo dhe të gatshme”, ka pohuar Kalemi.
Zyrtarisht, Drejtoria e Shëndetit Publik në Fier pohon faktin se pa libreza shëndetësore janë edhe punonjësit e kuzhinave të kopshteve dhe çerdheve, apo dhe të konvikteve, përmendim këtu konviktin e shkollës së muzikës.
Edhe pse i është lënë afat kësaj kategorie, sërish është neglizhuar. Madje, zyrtarisht Drejtoria e Shëndetit Publik deklaron se edhe mësuesit dhe punonjësit e administratës që kanë kontakt me popullatën e kanë parë me indiferentizëm pajisjen me librezë shëndetësore, pas së cilët fshihet edhe kontrolli i shëndetit të tyre.
#