E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamioni këput kabllon e sistemit TIMS në Qafë-Thanë

Pogradec/ Në pikën kryesore kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë u ndërpre puna. Procedohet shoferi nga Kaçaniku

Prej dy ditësh, shërbimi i sistemit kompjuterik për verifikimin e hyrjes dhe daljes së udhëtarëve në doganën e Qafë-Thanës në Pogradec ka dalë jashtë funksionit. Për pasojë, puna është bllokuar dhe pritet riparimi i defektit që qarkullimi në të dyja anët e kufirit të nisë normalisht. Shkak për problemin e krijuar është bërë një mjet i tonazhit të rëndë, që duke lëvizur në mënyrë të pakontrolluar, ka dëmtuar një pjesë të ndërtesës së doganës dhe për pasojë ka nxjerrë jashtë funksionit disa kabllo, të cilat janë pjesë e sistemit TIMS. Burime të Policisë së Korçës thanë se dëmtimi ka ndodhur në orët e mëngjesit të së hënës, kur mjeti i drejtuar nga 45-vjeçari Esat Hameti nga Kosova, gjatë lëvizjes në doganë, ka dëmtuar një pjesë të godinës dhe ka këputur edhe kabllot që sigurojnë funksionimin e sistemit TIMS. Policia lokale, tashmë ka filluar procedimin penal ndaj shoferit, i cili akuzohet për veprën e “shkatërrimit të pronës nga pakujdesia”. Të njëjtat burime saktësojnë se 45-vjeçari Esat Hameti, nga një fshat i Komunës së Kaçanikut në Kosovë, duke drejtuar mjetin e tij tip "MAN", me targë 529KS233, ka dëmtuar nga pakujdesia një pjesë të çatisë të hyrjes numër tre në doganën e Qafë-Thanës, si dhe disa kabllo, të cilat janë pjesë e sistemit TIMS. Ndonëse këto veprime janë konsideruar si aksidentale, ato kanë sjellë pasoja në nxjerrjen jashtë funksionit të sistemit kompjuterik, për verifikimin e hyrjes dhe daljes në të dyja anët e kufirit në doganën e Qafë-Thanës, e cila mban dhe peshën më të madhe të shkëmbimeve ndërkufitare me Maqedoninë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›