E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamioni me bar u vë flakën 8 fshatrave

Dëme të konsiderueshme materiale dhe mjaft panik kanë shkaktuar zjarret e djeshme në Malësi të Madhe dhe në Himarë. 

MALESI E MADHE/ HIMARE

Ndërsa 8 fshatra janë përfshirë nga flakët në rrethin verior për shkak të ndezjes së një kamioni me bar, hektarë të tërë me plantacione drurësh frutorë janë shkrumbuar në zonën e Himarës, ku mendohet se zjarri ka lindur si rezultat i pakujdesisë. Fatmirësisht nga flakët nuk janë shënuar të lënduar në njerëz, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve e ndihmuar edhe nga banorët ka qenë vendimtare për neutralizimin dhe fikjen e tyre. 
Në Malësi të Madhe
Zjarri i nisur në rimorkion e një kamioni që po transportonte bar të thatë, përfshiu 8 fshatra të komunës Gruemirë dje në Malësi të Madhe. Era e fortë ka ndihmuar flakët të përhapen me shpejtësi, duke shënuar kështu zjarrin më me shumë dëme për këtë sezon në Qarkun e Shkodrës. Nga zjarri u dogjën 5 shtëpi të braktisura, varrezat e fshatit Grizhë si dhe sipërfaqe të mëdha me pyje, kullota dhe pemëtore, ndërsa nuk ka pasur të lënduar në njerëz. Zjarrfikëset janë angazhuar maksimalisht për shuarjen e flakëve, të cilat kanë përparuar me ritme të shpejta, ndërsa policia e Malësisë së Madhe ka shoqëruar dhe marrë në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes drejtuesin e automjetit. Gjithçka ka ndodhur në orët e paradites së djeshme, kur Tonin Rranza, 45 vjeç, nga Thethi i Dukagjinit, po transportonte me kamionin e tij tip “Iveco” me targa TR 8722 D bar të thatë, të llojit sanë. Lartësia e ngarkesës me bar, si dhe disa drurë të vënë mbi barin, ka bërë që ajo të takojë me disa tela të energjisë elektrike. Kontakti i telave ka shkaktuar shkëndijë dhe si përfundim gjithë ngarkesa është ndezur në flakë. Të gjendur në këtë situatë, Rranza dhe i biri i tij minoren, i cili ndodhej bashkë me të, kanë braktisur kamionin. Ndërkohë që sana e ndezur prej erës është shpërndarë në pemët në anë të rrugës dhe më pas në tetë fshatra të zonës. Fshatrat Demiraj, Grizhë, Çezme, Gjorm, Qari Sipër, Mushqeraj, Dud dhe Podgorë të rrethit Malësi e Madhe janë rrezikuar seriozisht nga flakët. Deri në orët e pasdites ishin djegur pesë shtëpi, magazina të fshatarëve, me mijëra metra katrorë tokë, hardhi, pemëtore dhe pyje. Përveç dëmeve të mëdha materiale zjarri ka rrezikuar edhe jetën e banorëve, pasi në shumë raste i është afruar shumë pranë banesave. Reparti i zjarrfikësve të Malësisë së Madhe, ai i Shkodrës, efektivë të FNSH-së dhe banorë të zonës, e kanë vënë në kontroll zjarrin në orët e mbrëmjes, kurse puna për fikjen e tij ka vazhduar deri pas mesnatës.  
Zjarri në Himarë
Pushuesit në qytezën jugore u alarmuan si pasojë e zjarreve të fuqishme të rënë dje në disa fshatra në zonën e Himarës. Për fat nuk pati të lënduar, por dëme të shumta materiale. Një hotel i mbushur me pushues u evakuua për arsye sigurie, pasi flakët shkuan fare pranë. Zjarri kanosi djegien edhe të disa shtëpive të zonës dhe rrezikoi jetën e njerëzve që banonin në to. Vatra e parë u regjistrua në orët e para të mëngjesit në zonën midis fshatit Pilur dhe Vuno. Fillimisht flakët janë parë në disa shkurre, por të favorizuara nga era ato janë përhapur shumë shpejt në zonën përreth. Për shumë pak momente është përfshirë nga flakët një sipërfaqe prej 18 hektarë me plantacione ullinjsh dhe vreshta. Të parët që janë angazhuar në fikjen e zjarrit kanë qenë banorë të fshatit, ndërsa më pas në ndihmë të tyre ka shkuar një zjarrfikëse nga Himara dhe një nga Vlora. Pas një pune prej tri orësh zjarri është vënë nën kontroll dhe më pas është bërë e mundur fikja e plotë e tij. Ndërsa kjo vatër është fikur, një tjetër ka rënë rreth orës 15:00 në pjesën e sipërme të fshatit Potam në afërsi të Himarës. Zjarri ka qenë pranë një banese si dhe një hoteli. Frika e përfshirjes nga flakët ka shkaktuar jo pak panik te pushuesit e hotelit, të cilët e kanë boshatisur atë, për t’u rikthyer aty vetëm pas fikjes së zjarrit. Policia, e ndihmuar edhe nga banorët e zonës, kanë tentuar të vinin nën kontroll flakët, por ka rezultuar e pamundur, pasi era e madhe i ka favorizuar ato. Pas rreth katër orësh zjarri është fikur. Si pasojë e tij janë djegur rreth 40 hektarë me ullinj, plantacione të tjera me pemë frutore, si dhe shkurre e kullota. Po dje ka pasur dhe tri vatra të tjera zjarri në zonën midis Himarës dhe Dhërmiut, të cilat janë fikur para se të përbënin rrezik. Në të gjitha rastet mendohet se zjarret janë shkaktuar nga pakujdesia e banorëve.     r.d/q.b

GJIROKASTER
GJIROKASTER - Dy vatra të konsiderueshme zjarri u regjistruan dje në komunën Odrie të Gjirokastrës. Pasi janë përhapur me shpejtësi, flakët kanë rrezikuar seriozisht një rreth 20 shtëpi në dy fshatra, Andon Poçi e Palokastër. Vatra e parë u shënua rreth mesnatës së të dielës dhe ka vijuar përgjatë gjithë natës e deri rreth orës 10:00 të paradites së djeshme. Si rezultat janë djegur rreth 7 hektarë sipërfaqe kullosore dhe disa pemë frutore. Ndërsa vatra e dytë është regjistruar në mesditë në fshatin Palokastër. Pasi është bërë i mundur shpëtimi i rreth 13 banesave, zjarri ka përfshirë rreth 5 hektarë sipërfaqe kullosore, disa bahçe të banorëve, një kasolle dhe ka përshkuar varrezat e këtij fshati. Flakët janë vënë nën kontroll vetëm pasdite vonë, ndërsa policia ka shoqëruar tre persona si autorë të mundshëm të zjarrëvënies.      p.n

DURRES
DURRES - Një zjarr masiv ka shkrumbuar 35 hektarë me shkurre, ullishte dhe vreshta në Kodër-Vilë. Rreth orës 14:00 është lokalizuar vatra e parë e zjarrit dhe 4 orë më pas flakët kishin avancuar afro dy kilometra, duke u afruar pranë banesave. Më e goditur nga zjarri ka qenë lagjja “Spitallë”, ku afro 15 familje të saj janë bërë gati për të braktisur shtëpitë. Për fat, ndryshimi i kahut të erës largoi përkohësisht rrezikun nga banesat. Në vendngjarje mbërritën dy zjarrfikëse, pasi tre të tjerat e njësisë antizjarr të Durrësit ishin të angazhuara në fshatin Shkallnuer. Por nëse në Shkallnuer flakët janë mposhtur lehtësisht, terreni kodrinor i Spitallës ka vështirësuar në maksimum përpjekjet për shuarjen e tij.                  o.u

Flakët përpijnë një shtëpi në hyrje të qytetit të Sarandës

SARANDE – Një shtëpi u dogj nga zjarri mesditën e djeshme, në fshatin Gjashtë, rreth 1.5 km larg qytetit të Sarandës. Lagjja e poshtme e fshatit Gjashtë, ajo që ndodhet buzë rrugës nacionale Sarandë-Vlorë, është gjendur papritur nën flakë. Zjarri, i nisur për shkaqe ende të panjohura, është përhapur me shpejtësi në kodrinën e mbushur me banesa, pemë, mullarë dhe vathë bagëtish. Flakët e tij janë ngjitur me shpejtësi nga shkurret buzë rrugës, tek sipërfaqet me vreshta e ullishte dhe ka dalë në majë të çatisë së njërës prej shtëpive, në pronësi të Faik Bedulit, ndërkohë që u rrezikuan edhe të tjera në krah të saj. Të mbuluar nga tymi i zi që erdhi nga djegia e disa mullarëve me bar në oborr të banesave dhe të kërcënuar nga flakët që kanë përparuar me shpejtësi, banorët kanë përjetuar skena paniku të vërtetë. Banorët, deri tek fëmijët, u përfshinë në operacionin për shuarjen e flakëve. Në shërbim të tyre ishin edhe efektiva të policisë bashkiake të Sarandës, si dhe tre automjete zjarrfikëse të Sarandës. Brenda dy orësh zjarri shkaktoi dhe djegien e 6 krerëve viça, që gjendeshin të mbyllur në një stallë afër banesës së Jasin Bedulit. Po mesditën e djeshme një tjetër zjarr i fuqishëm ka rënë në kodrat me pyje e pemë frutore përreth fshatit Lefterohor, rreth 10 km larg qytetit të Delvinës, ku një shtëpi figuroi e djegur deri në orët e pasdites.                    sh.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›