E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja për drogën, bie akuza për trafik ndaj Luftar Reçit

Prokuroria e Krimeve të Rënda rrëzon akuzat për trafik armësh, droge dhe klandestinësh ndaj Luftar Reçit. 

Dashamir Biçaku

Ky i fundit akuzohet vetëm për vrasjen e Maksim Lalës, ndodhur në 12 maj 2005, në afërsi të urës së Shkopetit në rrethin e Matit. Për të njëjtin krim është në hetim si bashkëpunëtor edhe nipi i Luftar Reçit, Taulant Elezi. Ky i fundit, tashmë është i arrestuar nga policia dhe është dënuar nga Gjykata e Apelit të Tiranës me burgim të përjetshëm për vrasjen e taksistit Veli Mema në Tiranë. Për shkak të akuzave për trafik droge, dosja e Luftar Reçit, edhe pse ngjarja kish ndodhur në afërsi të Urës së Shkopetit, u hetua nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila, pasi ka hequr nga dosja akuzat për trafik, ia ka kaluar dosjen policisë lokale. Për këto shkaqe, duke qenë se nuk kanë qëndruar vepra penale e trafikut të drogës, Reçi është liruar nga kjo akuzë, ndërsa dosja i ka kaluar për hetim Prokurorisë së rrethit gjyqësore Mat, ku edhe ka ndodhur vrasja e Maksim Lalës. Kjo është bërë pas gati një viti hetim nga organi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për veprën penale të trafikimit të klandestinëve, trafikimit të drogës dhe armëve. Nga veprimet procedurale të kryera në terren në ngarkim të Luftar Reçit, hetuesit nuk kanë zbuluar prova për implikimin e tij në trafiqe të paligjshme. Hetimet ndaj Luftar Reçit, person me disa aktivitete tregtare në Tiranë, filluan rreth dy vite më parë pak kohë pas vrasjes së Maksim Lalës, në aksin rrugor Burrel-Dibër, pranë liqenit të Shkopetit. Lala dhe Reçi, sipas burimeve të policisë ishin të dyshuar se ishin përfshirë në një rrjet të trafikut të drogës. Disa muaj pas vrasjes së Maksim Lalës me një plumb në kokë dhe më pas djegies së trupit të tij, në makinë, vëllai i viktimës ka dëshmuar në polici. Ai besohet se ka thënë se e dinte që vëllai i tij i vrarë ishte përfshirë në një rrejt të trafikimit të drogës dhe armëve nga Maqedonia. Po kështu, vëllai i Lalës ka pohuar se Maksi kishte mik të ngushtë Luftar Reçin, me të cilin ai rrinte vazhdimisht. Pikërisht në këtë pikë, hetuesit dhe prokurorët kanë nisur hetimin për zbardhjen e vrasjes së Lalës, duke verifikuar edhe trafiqet. Veç kësaj ngjarjeje hetuesit kanë nisur punën dhe zbardhjen e ndonjë ngarkese të mundshme droge apo armësh, si dhe gjetjen e provave për një trafik të mundshëm të kësaj natyre. Gjatë kësaj periudhe oficerët janë munduar të grumbullojnë prova për implikimin e Reçit në vrasjen e ish-ortakut të tij në këtë aktivitet. Përgjimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë zbuluar përfshirjen e Luftar Reçit si dhe djalit të motrës së tij, Taulant Elezi, në vrasjen e ish-ortakut të tij Maksim Lala. Burime të Prokurorisë kanë pohuar se në fashikujt e dosjes në fjalë, rreth mijëra faqe, i kanë kaluar Prokurorisë së Matit vetëm për akuzën e vrasjes.

Ekzekutimi i Lalës me plumb pas koke

TIRANE - Maksim Lala është vrarë më 12 maj të vitit 2005 në aksin rrugor kombëtar Burrel-Dibër. Trupi i viktimës u gjet i djegur dhe i shkrumbuar në breg të liqenit të Shkopetit, disa metra larg rrugës. Jo shumë larg vendit ku u gjet kufoma, është gjetur edhe automjeti i viktimës, i markës “Opel”. Nga këqyrja e kryer nga policia dhe nga veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, ekspertët kanë vënë re se viktima ishte shkrumbuar tërësisht nga flakët, ndërsa kishte një plagë në kokë me armë zjarri. Autorët kishin qëlluar viktimën me një plumb pas koke dhe më pas e kishin djegur bashkë me automjetin e tij. Policia në fillim e ka pasur të pamundur identifikimin e të vrarit, për shkak se ai nuk njihej aspak, pasi ishte djegur në 90 për qind të trupit të tij. Kohë më vonë, falë një varëseje floriri, policia identifikoi nëpërmjet të afërmve viktimën Maksim Lala, i cili nuk gjendej nga familja prej ditësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›