E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat për SHBA, mashtruesja rrëfehet para prokurorëve

52- vjeçatrja pendohet dhe pranon akuzat” E bëra për të siguruar bukën e gojës

TIRANË- 52-vjeçarja Hanëme Shandori pranoi para oficerëve të policisë gjyqësore mashtrimet ndaj 19 qytetarëve të ndryshëm në emër të Ambasadës Amerikane, duke justifikuar veprimin kriminal si mënyrë për të jetuar. Burimet e rezervuara pranë Prokurorisë së kryeqytetit, konfirmuan për “Shekullin” se rrobaqepësja 52- vjeçare ka shprehur pendesë për veprimet e kryera si dhe ka pranuar se ka mashtruar 19 persona, duke i premtuar punë pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. “Pas arrestimit të shtetases Hanëme Shandori, e cila dyshohet për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me anë të mashtrimit”, efektivët e policisë së Tiranës me pranga në duare kanë dërguar 52- vjeçaren pranë Drejtorisë së Policisë në kryeqytet, konkretisht në dhomat e marrjes në pyetje duke ia marrë shpjegimet e saj për mashtrimet e kryera. Gjatë marrjes në pyetje, ajo ka pranuar mashtrimet e kryera duke dhënë detaje në lidhje me procedurat dhe strategjinë që ndiqte për kryerjen me sukses të mashtrimeve”,-thuhet nga burimet. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje në prani të mbrojtjes së caktuar nga shteti, 52- vjeçarja Shandori ka shprehur pendesë për veprimet e kryera, duke u justifikuar me fjalët “e kam bërë për të siguruar paratë e bukës për vete dhe fëmijëve”. Gjithashtu, sipas këtyre burimeve mësohet se “mashtruesja” Shandori ka përdorur për të gjithë viktimat e tij të njëjtën skemë mashtrimi, duke i ofruar “viktimave” një formular të falsifikuar që në krye të tij kishte stemën e Ambasadës Amerikanë në Tiranë dhe më poshtë renditeshin kushtet që kjo “ambasadë” kishte për të punësuar një kopshtar, si dhe formula për pajisjen e qytetarëve me viza apo Green Card, si dhe premtonte lehtësira në përfitimin e kredive të ndryshme nga Banka Amerikane. Mësohet se “aplikantët” përveç plotësimit të këtij formulari që ia ofronte Shandori, duhet të dorëzonin edhe një CV-i personale dhe dy foto, ku për të gjitha këto shërbime dhe premtimin për punë viktimat duhet të paguanin 15 deri 20 mijë lekë të reja në dorën e 52 vjeçares. Pas, vjeljes së këtyre lekëve dhe dokumenteve, Shandori iu premtonte se do të lidhej me ta në telefon, por që nga ai moment ajo zhdukej duke ndërruar edhe numrat e telefonit dhe vendet e takimit. Sipas akuzës, “mashtruesja” viktimat i gjente në bazë të njohjeve që kishte, duke i premtuar njerëzve në nevojë një vend pune pranë Ambasadës së SHBA-së në kryeqytet. Mësohet se, katër nga 19 viktimat e saj, duke parë zhdukjen pa gjurmë të “mashtrueses” i janë drejtuar policisë së kryeqytetit duke e denoncuar atë. “Mbrëmjen e së mërkurës, pak kohë pas arrestimit dhe para marrjes në pyetje nga oficerët e policisë, “mashtruesja” është përballur me katër nga 19 viktimat e saj, të cilët kanë bërë ballafaqimin me të, duke i drejtuar edhe gishtin si gruaja që i ka premtuar për një vend pune në Ambasadë”,-thuhet nga burimet e akuzës. Po sipas këtyre burimeve, mësohet se gruaja 52- vjeçare përdorte një kartë vizitë të printuar, ku identifikohej para viktimave si punonjëse e personelit të Ambasadës së SHBA-së në kryeqytet. Gjithashtu, mësohet se prokuroria e kryeqytetit paraditen e djeshme i ka dërguar të gjithë filialeve të bankave që ndodhen në Shqipëri që të verifikojnë nëse pranë tyre figuron e regjistruar ndonjë llogari bankare me emrin e saj dhe nëse ekziston të bllokohet deri në një urdhër të dytë. Sipas prokurorisë, pas arrestimit është kryer një kontroll në banesën e saj, brenda së cilës nuk është gjendur bashkëshorti, por që janë gjetur disa formularë të falsifikuar me stemën e Ambasadës së SHBA-së, CV-tëe aplikuesve dhe foto të tyre. Ndërkohë, që paraditen e sotme pritet që me kërkesë të Prokurorisë së kryeqytetit gjyqtari i gatshëm pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të shqyrtojë kërkesën për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj 52- vjeçares Hanëme Shandori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›