Kampi i kuq gjen buzëqeshjen e munguar
Përfundon "telenovela" financiare e Partizanit, futbollistët qetësohen dhe nisin përgatitjet
Dita e djeshme ishte menduar si "dita e së vërtetës" për Partizanin, pasi për të ardhmen mendohej e mira dhe e keqja. Zgjidhja e këtyre enigmave kishte bërë që në ambientet e klubit "Partizani" të kishte një interesim të madh si nga media e shkruar dhe vizive, por edhe nga mbështetësit e skuadrës.
Seanca e djeshme stëvitore ishte planifikuar për në orën 15:00, por të interesuarit filluan që të zbarkojnë në klub një orë përpara. Lajmi që doli dje nga kampi i kuq ishte i gëzuar, pasi në orët e paradites ishin shlyer të gjitha detyrimet e prapambetura, ku sipas burimeve pranë drejtuesve është mësuar se dje presidenti Xhani ka nxjerrë nga xhepi plot 200 milonë lekë të vjetra. Ndryshe nga ditët e kaluara, dje, tek të gjithë pjesëtarët e ansamblit të kuq shikohej një shndritje të fytyrës dhe ndiheshin të karikuar për pjesën në vazhdim. Hareja në kamipn e kuq u arrit në momentin kur mbërriti presidenti i skuadrës, Albert Xhani, i cili nuk kishte se si të mungonte. Tifozët e Partizanit u gëzuan jo vetëm se skuadra e tyre nuk u shpërbë, por pas një mungese disi të gjatë panë dhe shtrënguan dorën edhe me presidentin Xhani. Megjithëse ardhja e presidentit ndodhi pas fillimit të seancës përgatitore, prania e Xhanit në klub ishte e pritshme, pasi ai gjithmonë i ka ndarë lajmet e mira me skuadrën dhe tifozët.