E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhani: Sa të jem unë, nuk "vdes" Partizani!

 
Presidenti i të kuqve dje ka shpërndarë rrogat e prapambetura, si dhe ka premtuar tri përforcime për skuadrën
Më së fundi, dje, ka përfunduar "telenovela" e shlyerjes së detyrimeve financiare të futbollistëve të Partizanit. Presidenti Albert Xhani u kishte premtuar lojtarëve se ditën e hënë do të shlyheshin rrogat e prapambetura, ose përndryshe do të ishin të lirë të vendosnin për të ardhmen e tyre. Pavarësisht zërave skeptikë, që ishin në qarkullim dhe vigjilencës së disa klubeve, që ishin mprehur për t'u përforcuar me lojtarë të Partizanit, dje është mbyllur gjithçka dhe për pjesën e mbetur trajneri Lika do t'i ketë të gjithë futbollistët në dispozicion. Të kuqtë janë paguar gjatë orëve të paradites dhe në seancën e pasdites, pas një mungese disi të gjatë, në ambientet e klubit ka mbërritur edhe presidenti Albert Xhani. Në deklaratën e tij për mediat njëshi i kuq theksoi se ka qenë i sigurt se asgjë e keqe nuk do të ndodhte dhe premtoi edhe tri blerje të reja për të përforcuar skuadrën aktuale.
"Gjatë kësaj kohe nuk kisha ndonjë shqetësim të madh, pasi e dija se nuk do të ndodhte asgjë. Futbollistët e Partizanit jo vetëm sot, por gjithmonë kanë qenë të qeshur. Realisht kemi pasur një vonesë në pagesë, por për të mos u justifikuar do të them se kjo ka ndodhur edhe në vende të tjera me një financë më të lartë, si në Serinë A (Itali). Megjithatë, e rëndësishme është se kemi pasur një mirëkuptim të vazhdueshëm midis nesh dhe lojtarëve si dhe kemi pasur besimin e patundur se te Partizani, jo vetëm sot, por sa të jem unë president i skuadrës, nuk do të ndodhë asnjëlloj shpërbërjeje. Do të ketë vetëm përmirësime të vazhdueshme,"- është shprehur presidenti i të kuqve, Albert Xhani.
"Tifozët prej 10 vitesh janë mësuar me mua"
Në deklaratën e tij të djeshme njëshi i kuq ka deklaruar se gjatë kësaj periudhe të vështirë ka pasur edhe përkrahjen e tifozëve, të cilët janë mësuar me të. "Pa dashur të aludoj, problemi ynë është përdorur me qëllim nga disa me arsyen që të devijojnë opinionin sportiv nga shqetësimet kardinale që ka futbolli ynë, duke e trasmetuar atë tek Partizani. E kam thënë edhe më parë se Partizani përbën lajm, sepse është 70 % e tifozerisë shqiptare që ndan të njëjtin fat me ne. Dhe ashtu siç na vjen mirë kur japim lajme të mira për Partizanin, ashtu na vjen keq edhe kur ka lajme të këqija. Por në të dyja rastet ne kërkojmë korrektësi. Prandaj nuk dua që gjërat të vullkanizohen, pasi media është e interesuar për "skupe", apo për të orientuar tifozët e Partizanit në drejtime të kundërta. Unë mendoj se tifozët e Partizanit janë mësuar me ne, me klubin e tyre dhe prej kaq vitesh janë mësuar edhe me mua si president i skuadrës. Me gjithë problematikën që kemi pasur, ata kanë besim, pasi edhe në mesazhet e tyre shikohej patundshmëria se asgjë nuk ka për të ndodhur me Xhanin dhe Partizanin," - shprehet presidenti Xhani.
Presidenti premton tri përforcime në merkaton e tanishme
Pas zgjidhjes së çështjes së pagave të prapambetura, presidenti i të kuqve premton se drejtuesit po punojnë edhe në frontin e merkatos dhe, sipas Xhanit, priten tri përforcime, të cilat konsistojnë në të tri repartet. Gjithsesi, njëshi i kuq nuk preferon që të japë emra konkretë, por, sipas tij, në plan të parë është pista shqiptare, megjithatë nuk anashkalohen edhe të huaj cilësorë. "Jemi mësuar që shumë gjëra t'i bëjmë në minutën e fundit. Ky është fati ynë dhe kështu do të veprohet edhe për merkaton e tanishme. Pak rëndësi ka se si konsiderohet kjo zgjidhje, e mirë apo e keqe, e rëndësishme është që zgjidhja të realizohet edhe në minutën e fundit. Shpresoj të bëjmë më të mirën për Partizanin dhe, ashtu siç kam thënë edhe më parë, te skuadra do të vijnë tre lojtarët e premtuar. Përforcimet do të jenë në të tri repartet, ku mendojmë të zgjidhim problemt, që janë evidentuar nga të gjithë. Për sa u përket afrimeve në skuadër, mendoj se duhet vazhduar strategjia e lojtarëve shqiptarë, por nuk përjashtoj edhe mundësinë e lojtarëve të huaj, nëse ata janë cilësorë," - ka vijuar më tej presidenti Xhani.
"Media duhet të bëjë pak pushim me Partizanin"
Insistimit të medias për të zbuluar emrat e lojtarëve, që pritet të përforcojnë skuadrën e trajnerit Hasan Lika, presidenti Xhani i është përgjigjur me një batutë, e cila ishte si një kërkesë që për disa ditë ta linin pushim Partizanin. "Është mirë që media të bëjë pak pushim, pasi është lodhur pak si gjatë me Partizanin, prandaj hëpërhë gjeni ndonjë ekip tjetër që të merreni,"- ka përfunduar rrëfimi i presidentit Albert Xhani me median e pranishme në ambientet e klubit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›