E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vladimir Prela: "Ballkani 2008, më afër Europës"

Shkup, ambasadori shqiptar nuk komentonkrizën e vizave, bie fluksi i lëvizjeve në kufi
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup nuk komentoi dje asgjë rreth krizës së krijuar mes Shqipërisë dhe FYROM, pas vendosjes së regjimit të ri të vizave nga Ministria e Jashtme Maqedonase.
Ambasadori, Vladimir Prela, siç njoftoi dje agjencia MIA, duke folur në emër të korit diplomatik në Republikën e Maqedonisë,në ceremoninë e organizuar me Trupin Diplomatik nga presidenti maqedonas, Branko Cërvenkovski, shprehu në fillim ngushëllime për humbjen e jetës së 11 pjesëtarëve të ARM-së në fatkeqësinë e helikopterit. Prela e vlerësoi vitin 2008 si vit krucial për Ballkanin dhe theksoi se vendet e rajonit dhe Maqedonia asnjëherë nuk kanë qenë më afër Evropës. "Në vitin 2008 shtetet si Maqedonia, Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia, do të bëjnë hapa të rinj të rëndësishëm për t'u ofruar drejt familjes evropiane. Presim që Samiti i NATO-s në Bukuresht të jetë festë për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe demokracisë në këtë pjesë të botës. Kjo të kurorëzohet me marrjen e ftesave për anëtarësim të plotë në NATO nga vendet e Ballkanit",- theksoi ambasadori shqiptar.
Ai theksoi se gjatë muajve që po vijnë pritet edhe vendimi për zgjidhjen e statusit final të Kosovës dhe se ai, në këtë drejtim, falënderoi pozicionin principial të Maqedonisë rreth kësaj çështjeje. Ambasada Shqiptare në Shkup iu ishte shmangur reagimeve rreth vendimit të Ministrisë së Jashtme Maqedonase për të aplikuar regjimin e ri të vizave.
Kufiri
Në kufirin shqiptaro-maqedonas ka rënë ndjeshëm fluksi i kalimit të mallrave dhe njerëzve. Ky fenomen ka ardhur pas njoftimit të palës maqedonase për zbatim të aplikimit të vizës hyrëse për të gjithë shtetasit shqiptarë që kërkojnë të hyjnë në territorin e Maqedonisë. Në pikëkalimin më të madh të kufirit dypalësh në Qafë-Thanë, ku mesatarisht kufirin e kalojnë 1500 kalimtarë, njoftimi për marrjen e vizës në Ambasadën Maqedonase në Tiranë nuk është pritur aspak mirë nga banorët e dy anëve të kufirit.
Ata kërkojnë hapa konkretë nga dy vendet, për të kapërcyer këtë situatë. Zëdhënësi i Policisë Shqiptare, tha se ende kalimi i kufirit për në Maqedoni bëhet me sistemin e vjetër; duke marrë vizë në kufi. Por kjo ka të ngjarë të vazhdojë deri më 1 shkurt, nëse Maqedonia nuk tërhiqet nga vendimi i saj. Shqipëria dhe Maqedonia kanë tre pika të kalimit të kufirit.
Ministria
Ndërkohë shqiptarët në Maqedoni pritet të marrin drejtimin e një ministrie të rëndësishme në qeverinë e koalicionit të drejtuar nga kryeministri, Nikolla Gruevski. Aludimet u bënë dje, pas dorëheqjes së ministres së Ekonomisë, Rafajllovska, e cila theksoi se dorëheqja e saj është bërë për motive personale, ndërsa aktivitetin e saj njëvjeçar në qeveri e ka vlerësuar si tejet të suksesshëm. Dorëheqja e ministres Rafajllovska nga radhët e Partisë së Re Social Demokrate (PRSD) është e treta në kuadër të koalicionit qeveritar pas dorëheqjeve të ministrit të pushtetit lokal, Abdurrahman Memeti dhe zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Refet Elmazi. Burime pranë koalicionit bëjnë të ditur se pas këtyre dorëheqjeve do të bëhet rikonstruktim i vogël i qeverisë, me ç'rast do të pasojë edhe ndërrimi i resorëve ministrorë midis partnerëve të koalicionit, VMRO-DPMNE, PDSH dhe PRSD, njofton agjencia e lajmeve INA. Gjithashtu bëhet e ditur se PDSH pritet të drejtojë Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa si kompensim do të japë Ministrinë e Ambientit Jetësor ose Ministrinë e Kulturës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›