E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, në garë për kreun e LDK-së, Sejdiu dhe Mustafa



Kandidatura për kreun e LDK-së, që pritet të zgjidhet në fund të këtij viti kanë ndezur debate, nëse do të jetë ende presidenti Fatmir Sejdiu apo ai do të heqë dorë nga ky post. Ende nuk ka një përgjigje se çfarë procedure do të ndiqet, që ai të rizgjidhet për herë të dytë, shkruan e përditshmja e Prishtinës ”Express”.
Sipas gazetës, gjithashtu ka zëra të ndryshëm se a duhet të ketë më shumë se një kandidat për numrin një të LDK-së, në Kuvendin që pritet të mbahet nga fundi i këtij viti. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që është forca e dytë në koalicion qeveritar, nuk ka përgjigje të qartë se a ka ndonjë pengesë ligjore që Sejdiu të shpallë zyrtarisht kandidaturën për kryetar të LDK-së dhe që të jetë fizikisht i pranishëm në punimet e Kuvendit zgjedhor. Situata mund të komplikohet edhe më shumë nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës sjell një vendim që nuk do të ishte në favor të presidentit Sejdiu. Kjo gjykatë ka filluar tashmë procesin për të vërtetuar se a ka shkelje kushtetuese nga Presidenti i Kosovës, i cili mban njëkohësisht edhe postin e kryetarit të LDK-së. Ka zyrtarë të LDK-së që për kryetar të partisë nuk shohin alternativë tjetër përveç Sejdiut. Por, disa të tjerë insistojnë se duhet të ketë më shumë kandidatura dhe shprehin haptazi preferencën e tyre. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ismet Beqiri, që tani e sheh Fatmir Sejdiun si kandidat zyrtar, por edhe fitues të sigurt. Ai thotë se deri tani kandidat i vetëm është Presidenti Fatmir Sejdiu dhe shton se e mbështet fuqishëm këtë kandidaturë. Një tjetër çështje mbetet kandidimi i Isa Mustafës për kreun e LDK-së. Në një prononcim për këtë gazetë, Bujar Bukoshi, ministër i Shëndetësisë ka konfirmuar se nëse Isa Mustafa kandidohet për kryetar të LDK-së, do ta përkrahte fuqimisht. LDK-ja, sipas tij nuk do të dëshmojë asnjë vlerë dhe as demokraci të brendshme, në qoftë se presidenti Fatmir Sejdiu, i cili pritet të jetë kandidati i vetëm për kryetar të partisë, nuk do të ketë kundërkandidat gjatë zgjedhjeve të brendshme partiake në vjeshtën e këtij viti.
Bukuroshi shprehet se Lidhja Demokratike e Kosovës, vazhdon të “jetojë” e poshtëruar dhe e nënshtruar përballë partnerit të koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Më tej ai shprehet se nuk ka qeveri ideale. “Sigurisht që ka gabime. Edhe unë kur kam qenë kryeministër kam bërë gabime, por qëllimi është që gabimet të parandalohen... Unë mendoj po ashtu se janë bërë përparime nga qeverisja aktuale”.

Diaspora kërkon ndërrimin e emrit të Maqedonisë, pro anëtarësimit në NATO dhe BE

Diaspora e Bashkuar Maqedonase, këshilltarë të kongresmenëve amerikanë, përfaqësuesit e koalicionit turk të Amerikës, si dhe 15 profesorë dhe biznesmenë nga Turqia po lobojnë për çështjen e emrit me qëllim të integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE. Ata shprehen se emri i Maqedonisë nuk është i rëndësishëm në krahasim me anëtarësimin e vendit në NATO dhe në BE. Sipas shoqatës ‘Klubi i Diasporës Shqiptare’ nga Maqedonia me seli në Cyrih emri kushtetues i Maqedonisë duhet që të ndryshohet, dhe të zhbllokohet procesin euro-integrues i Maqedonisë, shkruan e përditshmja ‘Lajm’. “Ndryshimi i emrit është diçka që ja vlen për realizimin e një synimi siç është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Është lehtë të shitet patriotizëm demagogjik me çështjen e emrit, por ky patriotizëm i rrejshëm po ju kushton shumë të gjithë qytetarët të Maqedonisë. Vetëm kur të jetë anëtare e plotë në NATO dhe në BE Maqedonia mund të jetë shtet që garanton të drejtat e të gjithë qytetarëve. Vetëm atëherë shqiptarët dhe pjesa tjetër e diasporës mund të investojnë të sigurt në vendlindjen e tyre”, thuhet në komunikatën e këtij klubi.

Gjeliç për Kosovën: “Po kushtëzon anëtarësimin e Serbisë në BE”

Anëtarësimi i Serbisë në BE po kushtëzohet nga Kosova dhe njohja e saj. Kështu është shprehur Bozhidar Gjeliç, nënkryetar i qeverisë serbe, përgjegjës për integrimet europiane të këtij vendi. Sipas tij, shtetet kryesore të BE-së po i kushtëzojnë gjithnjë e më shumë përpjekjet e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE, me zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ashtu sikurse duan këto shtete, sidomos, duke shtuar presionin mbi Serbinë lidhur me projektrezolutën e paraqitur nga ajo për Kosovën, në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që do të zhvillohet në javën e tretë të muajit shtator. “Për fat të keq, disa shtete anëtare me ndikim në BE kanë vendosur që ta përdorin ecurinë e kandidaturës sonë në BE si një lloj mjeti presioni ndaj Serbisë para dhe gjatë seancës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për çështjen e Kosovës. Për këtë arsye, nuk duhet të pritet që aplikimi ynë për anëtarësim në BE të shqyrtohet në muajin shtator, kështu që më realisht, ka shumë mundësi, që kjo të ndodhë deri në fund të vitit”, theksoi ai.

Greqi, nga virusi i Nilit Perëndimor vdesin 3 persona

Tre persona kanë vdekur nga infeksioni i virusit të Nilit perëndimor në qendër të Greqisë, që nga fillimi i gushtit. Ndërkohë bëhet e ditur se janë prekur 47 persona të tjerë. Qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve (Keelpno) dhe Ministria greke e Shëndetësisë ka përforcuar masat për parandalimin e përhapjes. Virusi transmetohet te njeriu nga pickimi i mushkonjave dhe mund të provokojë forma të rënda të encefalopatisë. Personat që kanë humbur jetën ishin të moshuar dhe të sëmurë, njoftoi Qendra. Në totalin e 47 të të infektuarve, 45 janë sëmurë me encefalopati dhe 28 prej tyre janë shtruar në spital, shtatë prej të cilëve në terapi intensive. Deri tani virusi është përhapur nga Larisa deri në Selanik. Ministria greke e Shëndetësisë urdhëroi sot përforcimin e masave parandaluese në lidhje me rritjen e numrit të personave të infektuar nga virusi i Nilit perëndimor në pjesën qendrore të vendit. Ministria ka urdhëruar disifektimin kundër mushkonjave në të gjitha zonat ku do të shfaqet virusi.

18 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›