Kampionati botëror, i sigurt

Kreu o Komitetit organizator të Kampionatit botëror në Afrikën e Jugut, Danny Jordaan ka mohuar sugjerimet se sulmi ndaj autobusit të Togos në Kupën e Afrikës do të ndikojë në garën më të rëndësishme globale.
Të premten, një autobus i Kombëtares së Togos u sulmua me armë zjarri, derisa ishin duke udhëtuar drejt qendrës së tyre në Angola. Nga sulmi kanë humbur jetën tre persona, ndërsa Togo është tërhequr nga gara. Mirëpo, pavarësisht vështrimit negativ ndaj futbollit afrikan, Jordaan ka mohuar ndikimin e këtij incidenti ndaj Kampionatit botëror.
“Mendoj se të gjithë e kuptojnë se kjo nuk ka të bëjë asgjë me Afrikën e Jugut. Kur ishte një bombë në Londër, askush nuk kishte thënë se nuk duhet të zhvillohen Lojërat Olimpike 2012 në Londër, andaj nuk duhet të kemi standard të dyfishtë”, tha Jordaan, i cili shtoi:
“Secili shtet ka për detyrë të sigurojë ngjarjen në shtetin e tyre, andaj Afrika e Jugut nuk ka të bëjë asgjë me angazhimin e forcave të sigurisë në Angolë. Bota duhet të jetë e barabartë dhe nuk duhet të aplikojë standarde të ndryshme kur vjen në shprehje kontinenti afrikan. Kampionati ynë botëror është i sigurt dhe jemi optimistë, sepse kemi angazhuar një numër të madh të ekipit të sigurisë për ngjarjen në shtetin tonë”.