E Shtunë, 31 Tetor 2026

Togo kthehet në shtëpi

Kombëtarja e Togos në futboll është tërhequr nga Kupa e Afrikës në Angola, vetëm disa orë para ndeshjes së parë, të dielën, pas këshillës nga qeveria që akuzoi nikoqirin për mungesë të sigurisë, pas sulmit që la të vdekur tre anëtarë të ekipit dhe lëndoi disa të tjerë.

Futbollistët e Togos një ditë më parë kishin thënë se dëshirojnë të mbeten dhe të luajnë në Kupën e Afrikës për të nderuar viktimat. “Ne plotësisht e kuptojmë vendimin e qeverisë, sepse ata nuk kanë marrë garanci për sigurinë tonë”, tha sulmuesi Thomas Dossevi për agjencinë e lajmeve, Associated Press.

“Ne si futbollistë, kemi dashur të luajmë për të nderuar njerëzit tanë që kanë vdekur, por të dyja pozitat janë të kuptueshme”, shtoi ai. Ndërsa, kapiteni i Togos, Emmanuel Adebayor i tha radiostacionit lokal, Radio Ecclesia se ekipi deshi të mbetet, por “ne jemi fëmijë të Togos dhe do të respektojmë vendimin e qeverisë sonë”.

Kryeministri i Togos, Gilbert Houngbo ka thënë: “Angola dhe Konfederata Afrikane e Futbollit nuk kanë marrë masat e nevojshme që mënyrë që Kombëtarja e Togos të jetë e sigurt”. Houngbo ka shtuar se aeroplani presidencial i Togos është në Angolë për të kthyer ekipin në kryeqytetin Lome.

Të shtunën, shumica e zyrtarëve të lartë të Konfederatës Afrikane të Futbollit që njihet me inicialet CAF, shkuan në Cabinda, regjionin ku kishte ndodhur sulmi, ndërsa kërkuan që Togo të luajë. Presidenti i CAF-së, Issa Hayatou ka thënë se ka marrë garanci nga Kryeministri i Angolës, Antonio Paulo Kassoma se do të ketë përforcime në siguri në të gjitha stadiumet.

Kassoma po ashtu ishte në Cabinda, të shtunën. “Delegacioni i Togos dhe të gjitha delegacionet e tjera e kanë të garantuar sigurinë e tyre. Do të përforcojmë sigurinë dhe masat mbrojtëse”, tha Kassoma për televizionin shtetëror.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›