E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina, e katërta

Prishtina është dashur të kënaqej me pozitën e katërt, në turneun ndërkombëtar të Futsallit, që u mbajt të dielën në Zvicër. Bardhekaltrit, të cilët e kishin fituar turneun e Winterthurit vitin e kaluar, sivjet zhgënjyen, me dy humbje dhe dy fitore.

Prishtina, e cila ishte pjesë e Grupit B, e përfundoi këtë fazë në pozitën e parë, pasi që i mposhti dy klubet zvicerane, Aarau dhe nikoqirin Winterthur, me rezultat identik, 4:3. Më pas, bardhekaltrit u desh të përballeshin me të dytin e Grupit A, Luzernin, nga i cili u mposhtën bindshëm me rezultat 5:2.

Në ndeshjen e cila do ta përcaktonte pozitën e tretë dhe të katërt, prishtinasve u mungoi fati, pasi që u mposhtën nga FC St. Gallen, pas ekzekutimit të penalltive (8:7), pasi që loja e rregullt kishte përfunduar baras, 4:4.

Duke e marrë parasysh suksesin e arritur vitin e kaluar, në të njëjtin turne, këtë vit aventura e prishtinasve mund të konsiderohet zhgënjyese, për faktin se pjesëmarrës ishin vetëm gjashtë klube.

Përpos Prishtinës, në turne morën pjesë nikoqiri Winterthur, Aarau, Luzern, Thun dhe St Gallen.

Pozita e pestë i ka takuar Aaraut, i cili e mposhti Thunin (4:3), që përfundoi i gjashti. Kurse, kampion i turneut është shpallur Luzern, ku luajti edhe shqiptari Burim Kukeli, pasi në finale e mposhti mikpritësin Winterthur, me rezultat 2:1.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›