E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhjeqi i kthehet Trepçës

Arben Zhjeqi ka vendosur ta kalojë edhe gjysmën e mbetur të sezonit në Trepçë. Futbollisti prishtinas dhe klubi mitrovicas kanë arritur marrëveshje të dielën, për vazhdimin e bashkëpunimit edhe për gjashtë muaj, edhe pse palët ishin ndarë miqësisht pas përfundimit të sezonit vjeshtor.

Edhe pse kishte disa oferta dhe spekulohej se mund t’i bashkohej sidomos Vëllaznimit, ai u mbeti besnik tifozëve Torcida.

“Kam pasur oferta, por serioziteti i madh dhe puna që bëhet në këtë klub, bënë që unë ta pranoj ofertën e Trepçës që të luaj aty edhe për gjashtë muaj. Edhe kushtet e mira që m’i ofruan, ishin të përshtatshme për mua”, theksoi Zhjeqi për Express.

Ish-futbollisti i Prishtinës i ishte rikthyer futbollit aktiv në vjeshtën që shkoi, pas dy vjetësh pauze “të detyruar” për shkak të lëndimeve. Ai dëshiron t’ia shpaguajë klubit mitrovicas këtë besim që ia kishte dhënë. “Unë nuk pata luajtur për një kohë të gjatë dhe ata më angazhuan në vjeshtë dhe më besuan. Ata kanë bërë mirë për mua, kështu që këtë mirësi desha t’ua kthej dhe ta vesh sërish fanellën gjelbërezi”, shtoi mbrojtësi me përvojë.

Edhe pse Trepça ka mbetur pa dyshen e shquar Fetahu-Emra, Zhjeqi beson se “xehetarët” mund ta ruajnë primatin në Raiffeisen Superligë deri në fund të sezonit. “Është e vërtetë se janë larguar futbollistë, por klubi nuk ka ndenjur duarkryq dhe është përforcuar. Unë nuk kam vendosur të qëndroj kot në Mitrovicë, sepse dëshiroj që këtij qyteti t’ia sjellim titullin e kampionit të Kosovës”, tha në fund Arben Zhjeqi.

Trepça e ka mbyllur sezonin vjeshtor të Superligës në pozitën e parë me 32 pikë të tubuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›