Kampionati i vrapit, Berisha: Ngjarje e madhe për Shqipërinë

Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur hapjen e kampiontit Botëror të Vrapimit në mal. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë përshëndeti përfaqësuesit e 34 vendeve pjesëmarrëse në këtë aktivitet. Ai e cilësoi këtë veprimtari një ngjarje të madhe për sportin shqiptar.
“Kjo është një ngjarje e madhe për sportin shqiptar, është një ngjarje e madhe për turizmin malor shqiptar. Është një ngjarje e madhe për vendin e kombin, ndaj ju uroj dhe njëherë mirëseardhjen tonë më të përzemërt. Ju zhvilloni kampionatin në një vend i cili qëndron në krye të evropës për lartësinë e tij mesatare. Shqipëria ka lartësinë mesatare më të madhe në këtë kontinet, ajo ka dyfishin e lartësisë mesatare të Evropës, është vendi më malor i saj”, u shpreh Berisha.
Duke i uruar suksese zhvillimit të këtij aktiviteti në Tiranë, Berisha uroi që ky kampionat të frymëzojë të rinjtë shqiptarë për të njohur më nga afër pasuritë e mëdha për të shfrytëzuar këtë potencial të jashtëzakonshëm të vendit në interesin më të mirë të formimit të tyre fizik dhe psikologjik.
“Asgjë nuk është më frymëzuese se vrapi dhe ecja në mal. Çdo vit numri i vizitorëve dhe turistëve që vijnë në malet tona po rritet”, theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij, ky kampionat duhet të shërbejë si një ftesë për turistët nga mbarë bota për të njohur këto male të vendit tonë.