Milani, kualifikim edhe me humbje

Milani ka siguruar dje matematikisht vendin e saj në turin pasardhës të Ligës së Kampioneve, edhe pse ka humbur 0-1 në Athinë përballë vendasve të AEK-ut. Goli i vetëm i grekëve, që mban firmën e brazilianit Zhulio Sezar, i cili mposhti nga një goditje e lirë bashkatdhetarin e tij, Dida, mjaftoi për ta vënë skuadrën vendase në "pole-position" për kualifikimin për më tej, ku tashmë, pavarësisht nga humbja, janë edhe italianët e skuadrës së drejtuar nga trajneri Karlo Anceloti, pasi barazimi në ndeshjen tjetër të këtij grupi, ai 2-2 midis Lilës dhe Anderlehtit mbrëmë në Francë, e mban Milanin katër pikë larg vendit të tretë, kur ka mbetur edhe një ndeshje për t'u luajtur në fazën e grupeve.
Ndërkohë, edhe pse ka dalë me një barazim 2-2 në "Santiago Bernabeu" përballë Realit të Madridit, Lioni ka qenë skuadra "fitimtare" mbrëmë, pasi ka siguruar edhe matematikisht kreun e renditjes së këtij grupi, duke qenë se edhe ndeshjen e parë, të luajtur në Francë, e pati fituar përballë skuadrës "Merenges", të cilës i duhet të kënaqet me vendin e dytë. Po për grupin E, Steaua e Bukureshtit ka siguruar vendin e saj në Kupën UEFA në vazhdim të këtij sezoni, edhe pse nuk shkoi dot më larg se një barazim 1-1 në fushën e vet përballë ukrainasve të Dinamos së Kievit.
Në grupin F dhe në grupin G, gjithcka është ende e hapur, pasi Mancester Junajtid ia ka vështirësuar jetën vetes, duke u mundur 0-1 në Gllasgou përballë Sëlltikut vendas, që tashmë është me pikë të barabarta, 9, me "kushërinjtë" e saj anglezë, ndërsa vetëm dy pikë më prapa, kur ka mbetur edhe një ndeshje për t'u luajtur në grup, janë portugezët e Benfikës, që mbrëmë kanë mposhtur në fushën e tyre danezët e Kopenhagës, që janë tashmë të eliminuar plotësisht nga Evropa. Japonezi Nakamura ka qenë autori i golit të fitores për Sëlltikun, që i është mirënjohës portierit të saj polak, Boruc, i cili priti një 11-metërsh të ekzekutuar në minutën e fundit të kohës shtesë nga francezi i Mancester Junajtid, Luis Saha.
Ndërsa në grupin G, Arsenali ka vuajtur, por ka fituar 3-1 ndaj Hamburgut, duke hedhur një hap të sigurt drejt 16-shes, pasi kryeson me 10 pikë, po aq sa ka edhe Porto, e cila ngadhënjeu 2-0 në Moskë kundër CSKA-së. Gjithsesi, në këtë grup, duket se gjithcka do të vendoset në ndeshjen e fundit.