E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionët e boksit shkodran, në zyrën e Topallit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vazhdon ritualin, duke takuar në zyrën e saj sportistët apo skuadrat shkodrane që arrijnë rezultate të larta. E njëjta tablo u përsërit edhe dje, me pritjen e rezervuar për sportistët e Vllaznisë, kampionë për të rinj në boks. Gjatë takimit me skuadrën, e cila është më e suksesshmja në Shqipëri, me disa medalje evropiane, 14 herë kampione e vendit nga 17 kampionate që janë zhvilluar dhe 16 herë kampione e Kupës së Republikës, nuk u fol vetëm për sportin, por u diskutuan edhe çështje në interes të të rinjve. Topalli deklaroi: "Mbështetja e merituar për sportistët që nderojnë vendin nuk do të mungojë. Ekipi juaj, por edhe të gjithë sportistët që me pasion e përkushtim nderojnë Shqipërinë në kampionatet brenda dhe jashtë vendit, janë krenari për të gjithë ne. Me arritjet tuaja, ju jeni përçues të imazhit të Shqipërisë në mbarë botën". Trajneri Zef Gjoni, por edhe përfaqësues të sportit të kryeqendrës së Veriut, nuk harruan të theksonin se "Shkodra është qyteti më sportdashës në të gjithë Shqipërinë, ku numërohen 12 sporte të financuara nga bashkia dhe 18 sporte të rangut kombëtar". Në fillim të vitit të ardhshëm, aty do të organizohet turneu evropian i boksit, që do të zhvillohet në formën e një memoriali në nder të figurave të mirënjohura të boksit shqiptar. Në këtë takim, boksierët e rinj të Vllaznisë i dhuruan Kryetares së Kuvendit një kupë simbolike, si kujtim për këtë takim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›