E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani, Duro debuton me humbje

Duhej të ishte java e kthesës, por humbja 2-0 përballë Shkumbinit shërbeu si një tjetër shuplakë për Partizanin. Shpëtim Duro debuton me humbje në kampionat me të kuqtë dhe tashmë situata është më tepër se alarmante. Pas delirit për fitoren me goleadë në Kupën e Shqipërisë (të mërkurën që kaloi përballë Tepelenës), të kuqtë rikthehen te loja apatike, pa fantazi dhe të denjë për një skuadër që nuk e meriton të qëndrojë mes më të mirëve. Trajneri Duro tha: "Ekipi është në një gjendje të vështirë. Mendoja se do të arrinim më tepër, sepse në stërvitje ishin më të impenjuar, ndërsa sot (dje), në fushë lojtarët ishin shumë të ngarkuar psikologjikisht, sa nuk mund të bënin dy pasime bashkë". Edhe pse në minutat e para janë shfaqur më dominues, vendasit nuk kanë arritur të gjejnë golin e avantazhit: dy tentativa të Elis Bakajt nga jashtë zonës ishin të pamjaftueshme për të shqetësuar portierin Llani. Në kampin tjetër, peqinasit janë më të saktë përpara portës dhe në rastin e parë të mirë nuk gabojnë: kur kronometri shënonte 31 minuta lojë, Erjon Rizvanolli devijon në rrjetë një harkim nga goditje këndi. Vetëm pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Shkumbini dyfishon me Arlind Norën, duke mbyllur virtualisht ndeshjen. Një tjetër sfidë shumë interesante e luajtur të shtunën për javën e nëntë të Superiores është luajtur në "Loro Boriçi" të Shkodrës. Vllaznia e Agim Canajt mposht 2-0 Elbasanin dhe mban hapin e kryesueseve. Vendasit kalojnë në avantazh vetëm pas 16 minutave lojë, me goleadorin Vioresin Sinani, i cili ka mposhtur portierin Osmani me një gjuajtje spektakolare me të djathtën. Shkodranët shënojnë edhe në pjesën e dytë me Paulin Dhëmbin, duke u rikthyer te tri pikët pas tri ndeshjeve pa fitore. Ndërkohë, te Elbasani lëkunden ndjeshëm pozitat e Mirel Josës, me të cilin skuadra nuk po gjen dot rrugën për të qenë konkurruese. Fiton lehtësisht edhe Dinamo që kalon 2-0 Apoloninë në stadiumin "Loni Papuçiu" të mbyllur për tifozët. Ndeshja zhbllokohet nga lushnjari Sefa në të 13-ën, ndërkohë që rezultati final vuloset nga fieraku Artion Poçi. Një triumf i rëndësishëm për blutë e Daliç, që momentalisht ngjiten në vendin e dytë dhe shpresojnë te një hap fals i Tiranës. Në takimin e fundit të luajtur të shtunën, Flamurtari nuk ka marrë më shumë se barazimi 0-0 me Bylisin. 90-minutëshi i zhvilluar në qytetin bregdetar ka dhuruar një futboll pa emocione.

SUPERIORE

NDESHJET

Partizani - Shkumbini 0-2

Rizvanolli 31‘, Nora 52‘

Vllaznia - Elbasani 2-0

Sinani 16‘, Dhëmbi 58‘

Flamurtari - Bylis 0-0

Apolonia - Dinamo 0-2

Sefa 13‘, Poçi 50

Sot

Lushnja - Teuta K. Meta

Tirana - Besa A. Janku

KLASIFIKIMI

N P

1. Tirana 8 18

2. Dinamo 9 16

3. Shkumbini 9 15

4. Vllaznia 9 15

5. Besa 8 14

6. Elbasani 9 12

7. Teuta 8 12

8. Flamurtari 9 11

9. Bylis 9 9

10. Apolonia 9 8

11. Lushnja 8 6

12. Partizani 9 5



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›