Xhihani, 120 sekonda për një gol me Shaktjorin
Parid Xhihani po merr gjithmonë e më shumë pamjen e një "bomberi" në elitën e futbollit ukrainas, Vyscha Liga. Përveçse luan si titullar i padiskutueshëm te Zoria, sulmuesi kavajas gjen portën me lehtësi dhe këtë e tregon edhe në sfidat me kundërshtarë të mëdhenj. Të shtunën, 25-vjeçarit i mjaftuan vetëm 120 sekonda për të realizuar në portën e Shaktjor Donjetskut. Megjithatë, rrjeta e Xhihanit ka shërbyer vetëm për statistikë, pasi nënkampionët e sezonit të kaluar e përmbysën rezultatin falë dygolëshit të Martins dhe golit të Uilliam. Me humbjen e sotme në fushë, Zoria humbet edhe në klasifikim përballë Shaktjorit, që ngjitet në vendin e gjashtë (skuadra e Xhihanit zbret në vendin e tetë). Për sulmuesin shqiptar, ky ishte goli i gjashtë sezonal dhe pas 13 ndeshjeve është golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij. Dje ishin të impenjuar edhe disa legjionarë të tjerë, ku mbi të gjithë bie në sy aktivizimi i Altin Lalës në Bundesligë. Me mesfushorin kuqezi, përgjatë gjithë 90-minutëshit në fushë, Hanoveri fiton 3-0 me Hamburgun. Edhe Skela ka luajtur në Gjermani, por nuk e ka ndihmuar Kotbus të shmangë humbjen e radhës, këtë herë përballë Shalkes. Asnjë minutë për Kapllanin në sfidën ku Karlsruhe u thye 4-1 në fushën e surprizës Hofenhaim.