E Diel, 1 Nëntor 2026

Përgjigjesulmeve mediatike ndaj Nënë Terezës



Si sociolog unë jam i interesuar kryesisht në tri tema – autorësinë, besimin fetar dhe nacionalizmin – duke u përqendruar respektivisht në shkrimtarin anglez D. H. Lawrence (1885-1930), Nënë Terezën (1910-1997) dhe, më së fundi, Faik Konicën (1875-1942). Të tre këta personalitete iu përkushtuan tri idealeve që në pamjen e parë duket sikur nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin. Lawrence shkroi më shumë për ‘dashurinë’, veçanërisht për forcën emancipuese të seksit, që nuk duhet ngatërruar me ‘eroticizmin banal’; në një letër ai i referohet vetes së tij si ‘prifti i dashurisë’.

Nënë Tereza iu përkushtua Krishtit dhe këtë përkushtim e manifestoi në dashurinë e saj, jo me fjalë, por ‘duke vepruar’, siç thotë admiruesi i saj anglez, Malcolm Muggeridge (1903-1990). Ndërsa Faik Konica, megjithëse nuk ishte fetar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ngadhënjeu si prifti i ndërgjegjes kombëtare dhe devotshmëria e tij ndaj kombit nuk duhet shikuar nga një kënd i ngushtë patriotizmi folklorik, por në kuadrin e përpjekjeve të tij për të ndërgjegjësuar një komb të vogël si i yni, për domosdoshmërinë e përpjekjeve të organizuara, për të mundësuar një afirmim dinjitoz vlerash kombëtare në një kohë kur ekzistenca jonë si komb ishte në pikëpyetje.
Pavarësisht nga dhuntitë me të cilat lindin apo profesionet që zgjedhin, njerëzit e mëdhenj janë para së gjithash të dashuruar me njerëzimin; ata janë të përkushtuar në përpjekjet e tyre për të mbrojtur dinjitetin njerëzor, të cilin e konsiderojnë të shenjtë. Kjo është thelbësore në jetën dhe aktivitetin e Lawrence-it dhe Konicës, por veçanërisht në rastin e Nënë Terezës, e cila gjeti në humanizmin e shenjtëruar të Krishtit një provë të padiskutueshme, siç e shikonte ajo, të dashurisë së Zotit për njeriun, për çdo njeri, të varfër apo të pasur, të aftë apo me kufizime shëndetësore, të çdo lloj race, ngjyre, kombi, etniciteti apo feje.
Kundërshtarët e Nënë Terezës, për arsye të ndryshme, të cilat sot nuk kemi kohë t’i përmendim të gjitha e jo më t’i shtjellojmë në detaje, nuk janë dakord me publicitetin pozitiv që iu rezervua Nënë Terezës, kësaj figure qendrore të Katolicizmit modern, veçanërisht pas akordimit të çmimit “Nobel” për Paqen në 1979, në një kohë kur ajo, sipas tyre, nuk bëri ndonjë gjë me peshë për të zhdukur varfërinë apo për të kritikuar shfrytëzimin kapitalist.
Nënë Tereza nuk tha asnjëherë se ajo dëshironte apo se u përpoq që ta ndryshonte botën vetë, apo bashkë me motrat, vëllezërit dhe përkrahësit e urdhrit të saj ‘Motrat e Bamirësisë’, të cilin e krijoi në 1950. Disa artistë në Perëndim si Bob Geldof dhe Bono janë përpjekur dhe vazhdojnë të përpiqen, por akoma nuk ia kanë arritur qëllimit të tyre sa fisnik, aq edhe naiv që ta bëjnë varfërinë e botës diçka që i përket historisë. Nënë Tereza e kuptonte më mirë se Geldof dhe Bono se kjo botë është shumë e ndërlikuar për ta rregulluar menjëherë. Gjë që nuk e bëri Nënë Terezën të qëndronte në vend apo të priste që bota të ndreqej vetë apo ta ndreqnin të tjerët. Me gjithë përkushtimin e saj për të ndryshuar botën, Nënë Tereza ishte gjithmonë realiste se ç’mund të bënte ajo, dhe anëtarët dhe përkrahësit e urdhrit të saj në Kalkuta dhe në botë.
Vetë Nënë Tereza, më se një herë, është shprehur se kontributi i saj ka vlerë sa ‘një pikë uji në oqean’, gjë që dëshmon jo vetëm për modestinë e saj, por edhe se sa mirë e dinte se ç’mal duhet të ngjisë njerëzimi për të zgjidhur problemin e varfërisë dhe padrejtësitë sociale një herë e përgjithmonë.
Nënë Tereza nuk ishte revolucionare në kuptimin e mirëfilltë politik të fjalës, por kishte shpirt revolucionar. Rëndësia e kontributit të saj qëndron jo në statistikat që publikohen për numrin e shtëpive të urdhrit të ‘Motrave të Bamirësisë’ nëpër botë, apo në numrin e jetimoreve, apo qendrave të ndryshme. Kjo nuk do të thotë që këto statistika nuk duhen vlerësuar. Unë vetë kam pasur rastin të shikoj në Kajro, por veçanërisht në Kalkuta, se si motrat dhe vëllezërit e Nënë Terezës kujdesen për të moshuarit që janë hedhur në rrugë nga të afërmit dhe shoqëria, për fëmijët ilegjitim, jetimë apo me të meta mendore, për gratë që vuajnë nga dhuna në familje apo për viktimat e Sidës dhe sëmundjeve të tjera me stigmë shoqërore.
Disa gazetarë perëndimore si Christopher Hitchens e sulmojnë pa reshtur Nënë Terezën. Në disa raste këto sulme bëhen me një gjuhë dhe tone vulgare. Një vulgaritet të tillë kundërshtarët e ‘principtë’ të Nënë Terezës nuk do të kishin guxuar ta përdornin ndaj personaliteteve të tjera të shquara, veçanërisht ndaj ndonjë personaliteti kulturor apo politik me famë botërore, pasi këta të fundit pa dyshim do t’i kishin paditur me sukses, duke u kërkuar dëmshpërblime për akuza dhe shpifje banale. Hitchens le ta provojë t’u shërbejnë të varfërve të Kalkutës jo për afro 70 vjet, siç bëri Nënë Tereza, por një vit ose disa muaj, për të mos thënë edhe një javë të vetme, për ta provuar se sa e lehtë është t’i privosh vetes një jetë normale për hir të një ideali, ku përkushtimi ndaj dinjitetit të njeriut është parësor.
Ndërsa akademikja feministe australiane Germaine Greer, e cila e quan Nënë Terezën një ‘fetare imperialiste’, çuditërisht nuk është në gjendje të shikojë se sa figurë emancipuese është Nënë Tereza, veçanërisht po të kemi parasysh se me sa kurajë dhe vendosmëri ajo kërkoi që vizioni i saj të dëgjohej dhe aprovohej nga Kisha në Kalkuta, Indi dhe vetë Vatikani, të cilët vazhdojnë të mbeten në thelb institucione patriarkale.
Për sa u përket intelektualëve indianë si Aroup Chatterjee, Krishna Dutta dhe Dhiru Shah, të cilët e akuzojnë Nënë Terezën si shkaktare për imazhin negativ të Kalkutës dhe Indisë në botë, ata duhet të kenë me tepër kurajë që të mos shikojnë çdo të huaj, veçanërisht një personalitet fetar bamirës si Nënë Tereza, vetëm me syzet e një ndjenje të fyer kombëtare post-kolonialiste. Nënë Tereza nuk shkoi në Indi fillimisht në vitin 1929 si pjesë e arsenalit kolonialist perëndimor. Nënë Tereza shkoi në Indi në kërkim të Krishtit, të cilin e gjeti gjithmonë tek njerëzit, veçanërisht te njerëzit e paprivilegjuar, njerëzit që trajtoheshin dhe trajtohen si ‘plehra’ nga shoqëria njerëzore.
është e vërtetë që mediat perëndimore nuk reshtën së renduri drejt Kalkutës sa ishte gjallë Nënë Tereza dhe kur u nda nga jeta, dhe në këtë proces Kalkuta u bë, deri diku, simbol i varfërisë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Nënë Tereza e ‘shpiku’ apo e ‘propagandoi’ varfërinë e Kalkutës. Për më tepër, ajo nuk foli asnjëherë për varfërinë e Kalkutës me terma ekskluzivë. Kalkuta, ky qytet i dikurshëm imperial, mjerisht, ka kohë që është shndërruar në një mega metropol, varfëria dhe mjerimi i të cilit bien në sy menjëherë.
Intelektualët indianë që vuajnë, deri diku në mënyrë të ligjshme, kur shikojnë se vendi i tyre i bukur përmendet në Perëndim vetëm për varfëri dhe uri, duhet të jenë më objektivë dhe zemërgjerë, kur analizojnë kontributin që dha Nënë Tereza në Indinë e paspavarësisë. Për fat të mirë, një nga themeluesit e Indisë moderne, Kryeministri Jawaharlal Nehru, dhe udhëheqës të tjerë indianë të feve të ndryshme si dhe në shtetin e Bengalit Perëndimor, ditën ta vlerësojnë jo vetëm përkushtimin vetjak të Nënë Terezës për t’u shërbyer të varfërve të Kalkutës, por në të njëjtën kohë edhe guximin dhe shembullin e saj për të sfiduar disa tabu të vjetra, ndër të cilat duhet veçuar komunikimi i saj i drejtpërdrejtë me njerëzit e kastave të ulëta, që akoma shikohen me përbuzje në Indi. Nënë Tereza ua bëri më të lehtë barrën politikanëve dhe Qeverive indiane për të prezantuar dhe zbatuar reformat e tyre progresiste, që synonin përmirësimin e kushteve të jetesës për kastat e përçmuara Indiane.
Nënë Tereza u bë një shembull i madh frymëzimi si për politikanët e tipit të ri të Indisë së pavarur, ashtu edhe për miliona njerëz të thjeshtë në Perëndim. Nënë Tereza është shprehur disa herë se kur filloi të vizitojë Perëndimin për herë të parë në fillim të viteve 1960-të, ajo gjeti atje një lloj varfërie që, sipas saj, është edhe më e rëndë se varfëria materiale. Ky konkluzion i kësaj murgeshe të zgjuar dhe të përkushtuar shqiptare ishte një thirrje për Perëndimin për të rishikuar përparësitë dhe për të mos e matur vlerën e gjithçkaje vetëm nga ana monetare.
Njerëzit, kudo që ndodhen në botë, gjejnë diçka me vlerë tek Nënë Tereza. Ndërsa unë si studiues e vlerësoj Nënë Terezën përveçse për vizionin dhe shpirtin e saj revolucionar, veçanërisht për integritetin e saj profesional, edhe për përkushtimin me të cilin i shërbeu Krishtit, përkushtim që kërkoi sakrifica të shumta jo vetëm në aspektin e privimeve për një jetë ‘normale’, por edhe të sprovave të mëdha të shpirtit që përjetoi ajo të paktën që nga viti 1940, sprova që nuk e bënë asnjëherë të humbiste besimin se jeta e njeriut, e çdo njeriu, si figura e Krishtit, janë shenjtërisht të binjakëzuara.

Disa gazetarë perëndimore si Christopher Hitchens e sulmojnë pa reshtur Nënë Terezën. Në disa raste këto sulme bëhen me një gjuhë dhe tone vulgare. Një vulgaritet të tillë kundërshtarët e ‘principtë’ të Nënë Terezës nuk do të kishin guxuar ta përdornin ndaj personaliteteve të tjera të shquara, veçanërisht ndaj ndonjë personaliteti kulturor apo politik me famë botërore, pasi këta të fundit pa dyshim do t’i kishin paditur me sukses, duke u kërkuar dëmshpërblime

Intelektualët indianë që vuajnë, deri diku në mënyrë të ligjshme, kur shikojnë se vendi i tyre i bukur përmendet në Perëndim vetëm për varfëri dhe uri, duhet të jenë më objektivë dhe zemërgjerë, kur analizojnë kontributin që dha Nënë Tereza në Indinë e paspavarësisë. Për fat të mirë, një nga themeluesit e Indisë moderne, Kryeministri Jawaharlal Nehru, dhe udhëheqës të tjerë indianë të feve të ndryshme si dhe në shtetin e Bengalit Perëndimor, ditën ta vlerësojnë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›