Liga e Evropës, s'ka përplasje "big"-sh
Shorti i Ligës së Evropës ka evituar përplasjet e mëdha mes skuadrave angleze, gjermane, italiane dhe spanjolle por gjithsesi ka risjellë në një sfidë jo më pak emocionuese: Rapid Vjenë-Aston Vila. Kjo përballje është luajtur edhe sezonin e fundit pikërisht në turin e "play-off"-ve ku fitimtarë dolën austriakët e Piter Pakult. Skuadra ku aktivizohet dhe Hamdi Salihi fitoi ndeshjen e parë në Austri 1-0 dhe u mund në takimin e kthimit 2-1, por me gol në fushë të huaj arriti të kalonte në fazën e grupeve. Ndeshjet e para të Ligës së Evropës për këtë sezon 2010-2011 do të luhen në 19 gusht ndërsa ato të kthimit, një javë më vonë. 37 skuadrat fituese që do të dalin nga këto çifte do t'i bashkohen fituesit të Ligës së Evropës, Atletiko Madridit si dhe dhjetë skuadrave që do të dalin të humbura nga përballjet në ndeshjet "play-off" të Kupës së Kampioneve. 48 ekipet do të formojnë grupet e këtij kompeticioni, shorti i të cilit do të hidhet më 27 gusht në Monako.
Italianet - Juventusi i Luixhi Del Nerit do të luajë ndaj Sturm Graz, skuadër kjo relativisht më e dobët se torinezët. Takimi i parë do luhet në Austri, duke u dhënë kështu italianëve mundësinë që kualifikimin ta festojnë në shtëpi. Në dy përballjet e tjera, Palermo pret sllovenët e Maribor, ndërsa Napoli do të luajë ndaj suedezëve të Elfsborg. Vlen të theksohet se kampionati suedez është në kulmin e tij, ndaj edhe kjo ndeshje pritet me shumë interes, pasi Elfsborg është më mirë fizikisht se Napoli.
Anglezët - Hiq Rapid Vjenë-Aston Vila, një sfidë mjaft delikate, pritet të mos ketë probleme për Mançester Sitin e Mançinit, i cili do të luajë ndaj rumunëve të Timishoara dhe Liverpulit të Roi Hodgson, që do të përballet me turqit e Trabzonspor.
Gjermanët - Short relativisht i lehtë për të tria skuadrat gjermane pjesëmarrëse në këtë tur eliminator. Dortmundi pret Karabakun e Telit dhe Agollit, Shtutgarti sllovakët e Slovan Bratislavës, ndërsa Leverkusen do të ndeshet me modestët ukrainas të Tavrijas.
Spanjollët - Me fat edhe spanjollët: Vilareali do luajë ndaj bjellorusëve të Dnjeper Mogilev, ekip ky që eliminoi Laçin, ndërsa Getafe do të ketë përballë qipriotit e APOEL Nikosia.