E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ miraton fletën e Tiranës sipas vendimit të Kolegjit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rikuperuar vendimmarrjen e tij sipas verdiktit të dhënë nga Kolegji Zgjedhor përsa i përket fletës së votimit për kryetar të Bashkisë dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Pavarësisht diskutimeve të shumta, në fund të djathtët dhe të majtët në KQZ kanë mundur të gjejnë konsensusin që reflekton në pjesën kryesore të tij vendimin e Kolegjit. Kështu, përsa i përket fletës për kryetar të Bashkisë së Tiranës, krahas emrit të kandidatit Edi Rama dhe emrit të Koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” janë vendosur të gjitha siglat e partive që e përbëjnë atë. Ndërkohë që jo pak debat ka ngrënë fleta për anëtarë të Këshillit Bashkiak, megjithëse ai më shumë teknik sesa politik. Në përfundim, KQZ ka vendosur të ndryshojë vendet e koalicioneve, duke kaluar të parin “Aleancën për të Ardhmen” dhe më pas koalicionin “Aleanca për Qytetarin”. Sipas renditjes së re, PS-ja do të jetë e 13 në fletën e votimit, ndërsa PD-ja e 27-a. Ndërkohë që është vendosur që për rastet kur në fletën për këshillat ekzistojnë më shumë se 35 parti, emri i koalicionit do të vendoset anash në mënyrë vertikale. Ndërsa për rastet e tjera, kur ka më pak se 35 parti, emri i koalicionit do të vendoset horizontalisht. KQZ ka ndryshuar duke zbutur dhe ngjyrat e fletëve të votimit. Dje KQZ ka miratuar fletët e votimit për të gjitha njësitë vendore të Qarkut Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›