E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kamza-Teuta, nxemje për kampionatin

Nga ILIR CARA

Fituesi i takimit të djeshëm ishte mërzia, pasi të dy ekipet më shumë menduan që të mos pësojnë sesa të shënojë 

KAMZA TEUTA 0-0

Kamza: Haxho, Ardit Beqiri, Ndreka, Likmeta, Mici, Ishka (Ardian Beqiri 85), Belçev, Manuka, Pema, Karapici (Capa 75), Ziambo (Oladotun 73). Trajner: E. Gjoka

Kartonë të verdhë: Manuka

Teuta: Rizvani, Sheta, Osmani, Jakupi, Stafa, Veliaj, Tahiri (A. Hoxha 81), Nika, Mancaku, Dosti (Metani 78), Çota. Trajner: H. Lika

Kartonë të verdhë: Osmani, Mancaku

Gjyqtarë: L. Alla, D. Koreshi, E. Maloti (Lushnjë)

Duke parë formacionet që zbritën dje në fushën e stadiumit të Kamzës, dukej se të dy trajnerit, Ernest Gjoka i Kamzës dhe Hasan Lika i Teutës, e kishin vlerësuar takimin, me synimin që të fitonin dhe të hidhin një hap kualifikimi. Por në fund gjithçka përfundoi në barazim 0-0. Mërzia ishte fituesja e këtij takimi, pasi nga frika e humbjes dukej qartë se primare për të dy ekipet ishte që të mos pësonin gol. Në pjesën e parë ishte Kamza që diktonte më shumë në fushë, por niveli i lojës ishte i ulët dhe gjuajtjet në portat respektive ishin sporadike.

Rreziqet kryesore vinin nga goditjet standarde, por portierët, Haxho dhe Rizvani nuk e kishin të vështirë të neutralizonin goditjet. Pjesa e dytë nis më mirë për Teutën, por sërish topi më shumë qarkullonte në mesfushë. Ndërrimet e bëra nga trajneri Ernest Gjoka i dhanë më shumë gjallëri lojës, por sërish rrjetat e të dy portave mbeten të paprekura. Kalendari ka bërë që të Kamza dhe Teuta të ndeshen 3 herë në kuadrin e 10 ditëve, ku dy ndeshjet e kupës kanë përfunduar në barazim, 1-1 në Durrës dhe 0-0 në Kamzë.

Nga mënyra se si u zhvillua takimi i djeshëm të linte të kuptonte se dy skuadrat po bënin nxemjen e ndeshjes së ditës së dielë, që është e vlefshme për javën e 11- të të kategorisë superiore. Edhe të dielën Kamza është pritëse, por fitorja është primare për kamzalinjtë, pasi vijnë pas dy humbjeve radhazi. Pas përfundimit të serisë së katër të ndeshjeve në Grupin B, Kamza është e dyta pas Flamurtarit, me 5 pikë, dhe ndiqet nga Pogradeci me 4 dhe Teuta me 3 pikë.

 

Deklaruan

Ernest Gjoka, trajner i Kamzës: Dëshira jonë është që ta kalojmë këtë raund të kupës. Për momentin jemi të dytët dhe shpresojmë ta mbajmë deri në fund. Po mundohemi të bëjmë më të mirën dhe që ta realizojmë këtë objektiv na duhen edhe disa pikë të tjera në dy ndeshjet e mbetura. Them se takimi i sotëm (i djeshëm) ishte pozitiv për ne dhe këtë e shikoj edhe si test ndaj kundërshtarit që e kemi përballë edhe të dielën për kampionat.

Hasan Lika, trajner i Teutës: Shpresonim për më shumë, por siç erdhën  ngjarjet, them se u përmirësuam shumë në pjesë e dytë, pasi e para nuk ishte e mirë për ne. E kishim përgatitur ndeshjen për fitore, pasi kupa është në objektivat tona, dhe besoj se në takimet e fundit në grup të marrim pikët që na kualifikojnë. Kamza, Pogradeci dhe Teuta kanë mundësi kualifikimi dhe shpresoj të jemi ne.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›