E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laçi mund pa problem të rinjtë peqinas

Nga Erjon Hamitaj

Shkumbini i largohet kupës, përqendrohet vetëm në kampionat, ndërsa kurbinasit shohin më tutje


Laçi Shkumbini 3-1

Shënues: Dragiçeviç 71, 84, Emurllai 86 / Ramazani 89 (11-m)

Laçi: Malaj, Doku, Xhafa, Buljan (Rexha 46), Milenkoviç, Kastrati, Zefi, Trajkoviç, Lloga, Dragiçeviç (Vashaku 88), Emurllaj. Trajner: N. Dede.

Shkumbini: Sejdo (Ajazi 46), Ramazani, Karaj, A.Magani, Asllani, Isaj, Sulkja, Nexha, Lundraxhiu (Llucaj 46), Balliu (Çutra 55), E.Magani. Trajner: K. Dervishi.

Karton i kuq: Malaj

Gjyqtarë: D. Jubica, M. Qeseri, S. Zeka (Shkodër)

Ndeshja e katërt për grupin e parë të Kupës së Shqipërisë mes Laçit dhe Shkumbinit ka përfunduar me rezultatin 3-1. Ndryshe nga takimi i një jave më pare, ku në fushën e lojës skuadrat kishin hedhur në fushë burra për tu ndeshur, këtë herë viheshin re qartë synimet e secilës palë, ku Shkumbini ishte i dalë jashtë objektivave sapo mbërriti në Laç, ku u vu re mungesa e trajnerit dhe e pjesës dërrmuese të skuadrës.

Edhe pse e ka fituar këtë takim, skuadra laçiane mbetet ende e pakualifikuar për në raundin tjetër të kupës. Kurse peqinasit janë të dalë nga kjo situatë dhe janë përqendruar në kampionat. Loja nis me sulme të palës kundërshtare. Të rinjtë si Artur Magani dhe Lundraxhiu janë të papërmbajtshëm në pesë minutat e para, ku skuadra peqinase kërkon golin, por portieri Malaj pret dy goditje brenda zonës.

Më pas vendësit marrin lojën nën kontroll, mundojnë të qartësojnë situatën dhe kundërsulmojnë me Zefin dhe Dragiçeviçin, por më shumë nuk vijojnë këto sulme. Skuadrat bien në një gjendje plogështie dhe nuk arrijnë ti zgjidhin situatat. Topa që humben nga të dyja palët dhe faza sulmuese që nuk funksionon. Rastet drejt portave respektive janë sporadikë dhe nuk krijojnë probleme.

Në pjesën e dytë Dragiçeviç dhe Emurllai i hapin punë mbrojtjes peqinase dhe portierit Ajazi, por këta luajnë mirë dhe neutralizojnë çdo rast që mund të konvertohej në gol. Në minutat më vonë Zefi tenton disa herë kuadratin, por nuk arrin të shënjestrojë mirë edhe pse Dragiçeviç dhe Ermullai e inkuadrojnë mirë përpara porte.

Sulmet e shumta të vendasve e gjejnë zgjidhjen në minutën e 71-të, kur mbrojtia mike dorëzohet përpara Dragiçeviçit që shënon kur ndodhej mes lojtarëve të rinj në zonën e rreptësisë. Nuk mjafton kaq, por pas 13 minutave sërish shënon Dragiçeviç, pasi merr një asist nga Lloga dhe më pas kapiteni Ermullaj shënon golin e tretë dhe të qetësisë dy minuta pas golit të dytë. Miqtë  e vegjël nuk mund të largoheshin pa provuar shijen e golit.

Në një moment kundërsulmi Artur Magani shkëputet nga mbrojtia laçiane dhe mundohet të kalojë dhe portierin Malaj, por ky i fundit e mban në këmbën e djathtë dhe kryesori Jubica nuk e ka të vështirë për të akorduar 11-metërsh dhe karton të kuq për portierin. Në portë vendoset Vashaku, i cili zëvendësohet me Dragiçeviçin, por përballë Ramazanit është i pafat, pasi pëson gol.

Thanë pas ndeshjes

Klodian Dervishi, zv. trajner i Shkumbinit: Në këtë takim erdhëm me të rinjtë dhe në njëfarë mënyre ky ishte një test për ta. Disa e kaluan provën, por për disa të tjerë kam rezerva. Kupa tashmë nuk është në objektivin tone, prandaj do të përqëndrohemi në kampionat. Në atë front kemi shumë punë për të bërë dhe fitorja me Kastriotin nuk ishte surprizë, do të ketë të tjera pasi ne kemi potenciale për të përballuar sa më mirë kampionatin dhe të dalim nga vendet e fundit të tabelës së klasifikimit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›