E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamza kërkon ta nisë mbarë në grupin e kupës

Nga ILIR CARA

Nesër kamzalinjtë do të presin në fushën e tyre Flamurtarin, takim i vlefshëm për Grupin B të Kupës së Shqipërisë

Barazimi i arritur në transfertën e Korçës u ka kthyer moralin kamzalinjve, të cilët janë debutues në kategorinë superiore. Synimi i Kamzës është që këtë vit të mbeten mes më të mirave, duke mos e diskutuar mbijetesën në superligë. Trajneri Ernest Gjoka, si dhe grupi që ai përgatit, ka besim të plotë se Kamza nuk duhet llogaritur si pretendente për të rënë. Në pesë javët e para kamzalinjtë kanë marrë 1 fitore, 1 barazim dhe 3 humbje, ku më shumë peshon ajo me Apoloninë në shtëpi.

Gjithsesi, barazimi 0-0 me kampionët e Skënderbeut u ka kthyer buzëqeshjen kamzalinjve, madje është premtuar se kjo pikë në transfertë do të shpërblehet nga drejtuesit. Është thënë që ky shpërblim mund të mbërrije tek lojtarët para ndeshjes së mesjavës me Flamurtarin. Përpos synimeve në kampionat, blutë e Kamzës kanë objektivat e tyre edhe në këtë fazë të Kupës së Shqipërisë.

Kamza ndodhet në grupin B së bashku me Flamurtarin, Teutën dhe Pogradecin. Që në momentin e hedhjes së shortit është thenë se blutë synojnë kalimin e kësaj faze të kupës, duke u renditur në dy vendet e para. Nesër Kamza do të presë në fushën e saj Flamurtarin, kështu që ata  kërkojnë ta nisin mbarë grupin, në mënyrë që kalimi në turin tjetër të bëhet realitet.

Ndaj vlonjatëve pritet të shikohet një Kamzë serioze, ku do të synojë rezultat pozitiv. Pasi të kenë mbyllur llogaritë me përballjen e parë të kupës në grup, trajneri Ernest Gjoka dhe grupi që ai përgatit do të nisin të mendojnë më kokretisht për sfidën me Tomorin. Në këtë takim të luajtur në shtëpi nuk lejohen gabime, siç bënë me fierakët në javën e katërt.

Capa operohe Pas kthimit nga Korça, mesfushori i Kamzës Arbër Capa ka pasur probleme shëndetësore, ku i është dashur të paraqitet në urgjencë. Pas ekzaminimit mjekësor, është konstatuar se lojtarit shqetësimet i vinin nga apendiciti, kështu që të dielën Capa është operuar. Operacioni ka dalë me sukses dhe mesfushori vijon të mbetet në spital nën përkujdesin mjekësor. Dje Capa është vizituar edhe nga shokët dhe pjesëtarët e ekipit. Mendohet se për një periudhë trijavore Arbër Capa do të jetë mungesë e sigurt për trajnerin Ernest Gjoka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›