E Shtunë, 31 Tetor 2026

Levi, gati të ndryshojë skemën e lojës së Skënderbeut

Nga LEONARD TREBICKA

Trajneri çek, duke parë vështirësinë e futbollistëve në zgjedhje, ka menduar të ndryshojë skemën e lojës që në ndeshjen e radhës

Në Korçë, pas atij barazimi që kampionët arritën ndaj debutuesve të Kamzës, ku presidenti Agim Zeqo e ka quajtur katastrofë, pak besojnë se Skënderbeu këtë sezon do të jetë i aftë për të fituar titullin e dytë radhazi kampion. Në vetëm 5 javë, diferenca e Skënderbeut të vendit të 10-të me kreun e superligës, që mbahet nga Teuta, është 6 pikë, shumë për një ekip si korçarët, që duket se tashmë kanë konfirmuar edhe krizën e këtij sezoni.

Trajneri i Skënderbeut, Stanislav Levi, të gjithë fajin ia ka hedhur stafit teknik që ka pasur më parë ekipi korçar, ndërkohë që kjo pak rëndësi ka për tifozët e këtij qyteti, pasi ata presin kthesën e skuadrës dhe nuk u intereson se kush e ka pasur fajin. “Kur nuk kemi se çfarë të bëjmë, pasi futbollistët janë të njëjtët dhe ne nuk mund të ndryshojmë me shkopin magjik brenda pak ditësh gjendjen fizike të futbollistëve, atëherë do të ndryshojmë skemën e lojës në fushë.”

Me këto fjalë është shprehur njëshi i pankinës korçare, i cili ka lënë të kuptohet se qysh në ndeshjen e radhës që kampionët do të luajnë ndaj Teutës në fundjavë, do të shikojmë një skuadër ndryshe, të paktën për sa i përket modulit të rreshtimit të lojtarëve. Jo më kot edhe Levi pati deklaruar se nuk do tia dijë për emra futbollistësh, por ai do në fushë vetëm ata lojtarë që janë më të përgatitur.

Bledi Shkëmbi, në barazimin e fundit ndaj Kamzës, ishte vendosur të luante në sulm, gjë që edhe vetë oranizatori nuk e priste, por që nuk shkoi ashtu siç duhet dhe Levi nuk e ka kursyer as kapitenin, duke e ndërruar në minutën e 74-t me Allmuçën. Më parë stolin e kishte zënë i riu Kërçiku, që ia la vendin në pushimin e ndeshjes Ribeiros, pa thënë se në stol kishte qenë që nga minuta e parë Endri Vrapi, që as vetë nuk e kishte menduar se do ta niste ndonjëherë nga rezervat.

Rreshtimi Me gjithë këto ndryshime, sërish kampionët nuk mundën që tia dilnin, ndërkohë që Levi, që sot mbush plot një javë në krye të stolit juglindor, është duke menduar se çfarë duhet të ndryshojë sa më parë të jetë e mundur te ky ekip.

Ndeshja e nesërme ndaj Besës për kupë do të jetë një provë e parë e këtij ndryshimi të skemës, ndërkohë që në kampionat të dielën që vjen, me shumë gjasa, Levi do të luajë me 4-5-1 në momentin që Skënderbeu do të jetë në mbrojtje dhe 4-3-3 në momentin që skuadra do të sulmojë.

Të gjitha këto ndryshime çeku ua ka bërë të ditur futbollistëve korçarë në disa tabela të mëdha që janë vendosur prej ditësh në dhomat e zhveshjes të futbollistëve të Skënderbeut, tabela që duket se një pjesë e mirë e lojtarëve po i shikojnë për herë të parë.

Në start Levi nuk ia ka dalë, atëherë duhet të presim për ti lënë kohën e mjaftueshme trajnerit të ri dhe për të parë se çfarë do të arrijë të bëjë me këtë Skënderbe.Ndërkohë që flitet dhe thuhet se pasi të hapet merkatoja, Skënderbeu do të largojë disa lojtarë dhe do të afrojë urgjentisht ata lojtarë në pozicione të ndryshme që do të kërkojë trajneri Levi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›