Kamza, "qyteti" i marrë peng nga PD

Kryeministri organizon ceremoni festive me rekrutime të detyruara të gjimnazistëve në PD, ndërsa qindra familje jetojnë në mjerim dhe pasiguri për të nesërmen. Jeta e vështirë e 87 mijë banorëve që u shpërngulën nga veriu për të ndërtuar një jetë të re.
Spektakli i kryeministrit që premton shpalljen qytet të zonës informale, ku ëndrra e qindra familjeve është marrja e ndihmës ekonomike...një thes miell. Rrëfimet e punëtorëve pa punë në katër rrugët e Kamzës
Kamza qytet. Shpalljen e bëri kryeministri ca ditë më parë. Por mjafton të shkelësh nëonën, rreth 5 kilometra larg Tiranës, dhe e kupton se Kamza është qytet vetëm në mendjen e Kryeministrit Sali Berisha.
Zona ku jetojnë rreth 87 mijë banorë, e ardhur kryesisht nga veriu i vendit, jo vetëm që nuk përmbush asnjë kriter për tu quajtur qytet, por njerëzia aty jeton në zgrip të mjerimit.
Mjafton të shohësh fytyrat e vendasve për të kuptuar barrën e halleve të përditshme që rëndojnë tek gjithsecili prej tyre. Por nuk është kjo arsyeja pse Kamza nuk përngjan as me një qytet të këtij vendi dhe jo më me qytetet europiane ashtu si ca ditë më parë na e përshkroi kryeministri Berisha.
Përvec rrugës nacionale "qyteti" nuk ka asnjë rrugë tjetër kryesore të shtruar, nuk ka qoftë dhe një tabelë, një qendër kulturore, kinema apo dhe një lulishte që kemi parë në të gjithë qytetet e botës.
Kamza ka vetëm një stadium aty ku ca ditë më parë Berisha u dha bekimin anëtarëve më të rinj të partisë së tij. Përtej këtij stadiumi, në Kamëz syri të sheh vetëm mjerim dhe më shumë se sa një qytet zona përngjan me një kantier ndërtimi ky gjithsecili punon për hesap të vet.
Kur kryeministri organizoi ceremoninë e bekimit të 835 "petritave të rinj", si anëtarë të PD-së, as që u ndal tek katër rrugëshi i Kamzës. Megithëse sheshi, (i mbiquajtur kështu nga vendasit), ndodhet në qendër të Kamzës, kryeministri nuk e ndali hovin aty, por u turr drejt e në stadium ku e prisnin me lule dhe valle).
Njerëzit që popullojnë përditë këtë shesh nuk janë ata që brohorasin dhe kur kryeministri i vendit rrëfen ëndrra me syhapur si ajo e Kamzës qytet. Janë njerëz që hall të përditshëm kanë sigurimin e bukës së gojës për fëmijët e tyre dhe jo mitingjet apo dhe fjalimet ku shpesh herë vetëm pjesëmarrësve nuk u flitet. Sheshi i katër rrugëshit është zemra e Kamzës. Mbi 200 burra popullojnë sheshin sapo zbardh dita.
Sipas projekteve të Bashkisë së Kamzës, aty duhet të jetë dhe qendra e kulturës, por në realitet nuk është gjë tjetër vçse një ngrehinë e ngritur dhe një vend kur shesin për dy kacidhe krahun e tyre të punës banorët e zonës. Varfëria mbledh në këtë shesh banorë nga Valiasi, Bathorja apo edhe nga gjashtë lagjet e Kamzës.
Aty gjen Ismet Vladin nga Lura , Sejdin Zelën nga Kukësi apo Shkëlzen Korbin nga Tropoja e qindra të tjerë që njohin mirë njëri-tjetrin, sepse në të shumtën e ditëve, vetëm presin, harrojnë hallet e tyre duke dëgjuar hallin e tjetrit. Nga sa tregojnë punëtorët e krahut të lirë, jeta e gjithsecilit prej tyre përngjan kryekëput.
Si bie fjala, të gjithë e dinë se Ismetit, djalë rreth të 30-tave i është ndaluar vajtja në Greqi për shkak të kalimit të paligjshëm të kufirit ndaj dhe shpresë të vetme pune ka këtë shesh. Të gjithë aty e dinë që Adil Vatës po i shëmbet shtëpia dhe askush nuk lëviz vendit. Ismeti thotë se bën çdo lloj zanati por ditët kur gjen punë janë të pakta.
Ismet Vladi thotë se paguan që nga taksa e gjelbërimit e deri tek ajo e rrugës ndërkohë që jo vetëm lagjja e tij por e tërë Kamza është e mbushur me plehra, pemë të thara dhe rrugë që kanë nisur dhe nuk dihet se kur do të përfundojnë. Ndërkohë që kanalizimet e ujërave të zeza janë një tjetër shqetësim që ngre Shkëlzen Korbi.
Ndërsa pak më tutje fshatarët nën shtullungat e pluhurit dhe zhegut të vapës rreken të shesin perimet e sezonit apo dhe sende të tjera të konsumit të përditshëm. Mu në bash të rrugës, në qendër të "qytetit", tregu i fshatarëve, jashtë çdo standardi, të paktën ka shërbyer që ca familje të sigurojnë bukën e gojës.
Ata të paktën nuk jetojnë me sytë nga buka e qeverisë. Prej tre muajsh në Kamëz, rreth 1500 familje nuk kanë marrë ende ndihmën ekonomike të ofruar nga shteti. Vertet janë vetëm 2 mijë lekë të reja, por për këta njerëz do të thotë një thes me miell.
Askush nuk di pse prej kohësh nuk shpëmdahet asistenca sociale. Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, nuk pranon të flasë për gazetën "Shekulli', ndërsa në bazë të statistikave zyrtare, 10 për qind e banorëve të zonës janë në emigrim, nga 87 mijë banorë që ka Kamza.
Po sipas të dhënave zyrtare, pjesa më e madhe e familjeve jetojnë falë ndihmës së emigrantëve ndërkohë që Kamza, edhe pse kryeministri thotë se është qytet, nuk ka qoftë edhe një ndërmarrje apo dhe fabrikë që të funksionojë.
Sektori i ndërtimit është i vetmi që funksionon, por Ismeti të thotë se edhe këtu puna ka rënë. Ndaj dhe ata që nuk janë të njerëz të partisë apo të afërm të kryetarit jetojnë falë zemërgjërësisë së biznesmenëve të ndërtimit deri sa t'iu soset dhe atyre durimi.
Kjo është zemra e qytetit të kryeministrit ku nuk ka të rinj të veshur mirë e ceremonira festive, por njerëz me halle që jetojnë në kufijtë e ekzistencës. Por kryeministri nuk u ndal aty. Ai shkoi tek stadiumi ku e prisnin 835 petritat e tij e rrëfeu një përrallë me emrin Kamëz.
Prindërit akuzojnë mësuesit për rekrutimin pa dëshirë. Emirion Gjeta: U antarësova në PD që ta kem testerën në xhep
Prindërit: Fëmijët i bënë anëtarë të PD-së me detyrim
Emirion Gjeta, është një ndër 835 adoleshentët që ca ditë më parë u bë anëtar i Partisë Demokratike në një ceremoni pompoze e organizuar nga kryeministri Sali Berisha. Emirioni duket se është një djalë moskokëçarës, harrakat, indiferent për çfarë ndodh për rreth e në shkollë, lëre pastaj për politikën e fatet e këtij vendi.
Ajo që di Emirioni për Partinë Domokratike është vetëm fakti që ai tashmë mban në xhep testeren e partisë që drejton këtë vend. Dhe ajo që e lidh gjimnazistin me PD-në është ajo ceremoni e organizuar në stadiumin e Kamzës.
Nga ajo sa u servir në ceremoni dukej se bëhej fjalë për një qytet ku mungesë të vetme kishte gjakun e ri të partisë dhe jo se bëhej fjalë për një zonë banorët e së cilës jetojnë në kufinjtë e mjerimit. Por Emirionit nuk është se i intereson dhe aq kjo. Tashmë, me bekimin e kryeministrit, ai është ndër anëtarët më të rinj të Partisë Demokratike dhe maturanti duket se di fort mirë se kjo teserë në xhep do t'i hapi shumë rrugë.
Anëtarësimi
Anëtarsimi i 835 të rinjve nga Kamza në Partinë Demokratike duket se nuk ka qenë zgjidhje personale apo me idealet dhe alternativat e së djathtës në këtë vend. Të paktën për një pjesë prej tyre marrja e teserës së PD-së në xhep ka qenë një detyrim nga drejtuesit e shkollës së mesme të Kamzës.
ë këtë zonë, që kryeministri pak ditë më parë e lançoi si qytet, të thotë se në shkollën e mesme janë shpëndarë formularët e anëtarësimit. Gjimnazistët kundrejt presionit të notave apo dhe kalimit të shkollës, janë detyruar të firmosin se me dëshirën e tyre duan të jenë anëtarët e rinj të PD-së.
Shkëlzen Korbi thotë se djalit të tij në shkollë i është dhënë një formular i tillë dhe më pas atë e kanë marrë drejtuesit e shkollës. Një fakt të tillë e pohojnë dhe të tjerë prindër, por nga që mbajnë frymën me bukën e qeverisë, (asistencën) nuk pranojnë të identifikohen.
Sipas tyre, një pjesë e mirë e gjimnazistëve janë detyruar të anëtarësohen në ceremoninë pompoze të organizuar nga kryeministri Berisha. Plotësimin e formularit e pohon edhe Emirion Gjeta, Kastriot Ismaili dhe disa gjimnazistë të tjerë të cilët ndihen krenarë që janë gjaku i ri blu.
Por ata thonë se e kanë firmosur me dëshirë këtë formular dhe se nuk janë detyruar për t'u anëtarësuar. E ndërsa mohojnë presionin e ushtruar në shkollë djemtë që i takojmë në qendër të Kamzës as që kanë qasje të jenë pjesë e politikës apo edhe e forumeve të Partisë Demokratike.
"Unë jam me Berishën ndaj dhe e firmosa për të qenë anëtar sepse Ai po ndërton këtë vend",-thotë Emirioni. Në fakt kjo është ajo që ai di për politikën ndërkohë që nuk bëhet fjalë që të dijë statutin apo emrat e drejtuesve të tjerë të partisë, në të cilën ai është anëtari më i ri. Në fakt kaq njohuri kanë edhe shokët e tij tashmë jo vetëm të lagjes.
Djemtë të thonë se asnjëri prej tyre nuk është nxënës i shkëlqyer dhe nga sa rrëfejnë duket se mezi kanë kaluar klasën. E tashmë, megjithëse është sezon provimesh, (janë maturantë), të gjithë enden rrugëve të pashtruara apo dhe nëpër kafenetë e Kamzës.
Asnjëri nuk di të thotë se çfarë dëshiron të bëjë në jetë apo dhe profesionin për të cilin duhet të studiojnë. Ajo që dinë është fakti që në këtë kohë më shumë se sa shkolla apo dhe profesion duhet të kesh teserën në xhep e cila është diploma me e vlefshme në këtë vend.
Rrëfimi i 60-vjçarit Adil Vata, i shpërngulur 12 vite më parë nga Kukësi në Valias
"Shteti të më ndihmojë, shtëpinë po ma merr lumi i Tiranës"
Jeta zor se i ka falur një ditë të bukur Adil Vatës. Shpërngulja në rrethinat e Tiranës, në Valias, duhet t'i kishte ndryshuar jetën Adilit dhe fëmijëve të tij. Së paku kështu ka ëndërruar këtu e 12 vite të shkuara kur vendosi të shpërngulej nga Suraj i Kukësit.
Sot edhe ajo shtëpi që ka ndërtuar për të futur kokën rrezikon të shëmbet për shkak të erozionit të shtratit të lumit të Tiranës. Mi kurriz i kanë rënë aq shumë halle sa që në "qytetin" e Kamzës jo vetëm që nuk i ka ndryshuar jeta, por cdo ditë e më shumë Adili rrënohet në mjerim.
Gjashtë frymë në shtëpi i kanë sytë tek krahët e tij. Edhe pse nuk ka krah aq të fuqishëm dhe është invalid i grupit të dytë, Adili sa zbardh dita merr rrugën për në qendër të Kamzës.
Në një shesh që, në projektet e bashkisë së Kamzës rezulton të jetë qendra e kulturës, mblidhen të gjithë ata që kërkojnë të fitojnë bukën e përditshme. Aty pret dhe Adili me orë të tëra në me shpresën se ndokush do të ketë nevojë për punë krahu.
Ndërsa ditët kur i buzëqesh fati janë aq të pakta saqe 58- vjecari të thotë se ende nuk ka mundur të shlyejë nga lista e borxheve thesin e miellit të marrë që në dhjetor 2009. E megjithatë kjo nuk e shqetëson aspak kuksianin e mirë. Duket se është paqtuar me fatin e tij paçka se ditët ngjajnë si pika uji me njëra-tjetrën.
Paçka se kur kthehet në shtëpi, vç lodhjes dhe sosjes së durimit asgjë nuk mund t'i ofrojë fëmijëve të tij. Duhet të ushqehet me atë çka mundet të sajojë e shoqja me vaktet sa për të mbajtur frymën, e sërish të marrë udhën në qendër të bashkisë së Kamzës me shpresën se nesër ndokush do të ketë nevojë për krahët e tij të brishtë.
Por ajo që ia ka plasur zemrën kuksianit është shtëpia. Ajo shtëpi që me mund dhe ndihmën e fisit ka mundur të ndërtojë në Valias, aty ku edhe u vendos 12 vjet të shkuara. Adili të rrëfen se shtëpia po i shembet për shak të erozionit të lumit të Tiranës. Në bashkinë e Kamzës i kanë dhënë një copë letër ku vërtetohet rreziku i shembjes së shtëpisë.
Atë copë letër të firmosur edhe nga kryetari Adili e ruan si sytë e ballit. Nëpërmjet saj shpreson se drejtoria e emergjencave civile do të ndërhyjë për të ndërtuar një argjinaturë në lumë që do të shpëtonte nga rrënimi shtëpinë e tij.
Këtë i ka thënë kryetari i bashkisë së Kamzës dhe Adili, kur i soset durimi duke pritur ndonjë punëdhënës të rastit merr rrugën nga Ministria e Brendshme, ku sigurisht deri më tani ka mundur të takojë vetëm rojen e ministrisë "Nuk dua të më sigurojnë bukën e gojës se atë jam i zoti vetë, por shtëpinë sepse ajo po më rrënohet.
Kaq është ajo që kërkoj por deri më tani më sorollasin dhe asnjë nuk më jep një zgjidhje",- thotë Adil Vata.
Rrëfimi i kuksianit është jeta e një njeriu në mjerim të plotë ku ata të cilët paguhen edhe nga xhepi i tij e sorollasin der më derë pa denjuar t'i japin një zgjidhje, por firmosin një shkresë bakalli që duket se ka fuqi vetëm në xhepin e Adilit.
Nr EMERTIMI Persona te paafte Kujdestarë
1 Me pagese paaftësie 535 76
2 Me pagese verbërie 108 48
3 Me pagesen e para dhe tetra-plegjikut 92 89
4 Me shtesen mbi pensionin e invalidit te punes 463 --
5 Nga keto
6 Me invaliditet te pjesshem 114
7 Me invaliditet te plote 293
8 Me invaliditet qe jane ne pension pleqerie 52
Popullsia
Pas vitit 90-të banorë nga veriu dhe verilindja e Shqipërise u zhvendosen drejt zonës së Kamzës ku brënda një viti numri i popullsisë u rrit nga 12 500 ne 20 000 banorë. Në vitin 1997-2002 numri i popullsisë arriti në 53 027 banorë kurse sot në territotin e Bashkisë Kamës jetojnë afro 87 000 banorë. Mosha për punë zë 60-65% të popullsisë. Numri i familjeve ne Kamëz arrin afërsisht 20 000 familje. Raporti lindje-vdekje është 5:1