Josa ndan gjërat: Flamurtari nuk është si Elbasani
Trajneri i Vllaznisë u bën thirrje të tijve që në transfertën e Vlorës i pret një ndeshje e vështirë, jo si transferta e fundit në kupë
Në Elbasan, Vllaznia thjesht ka bërë detyrën e saj. Ka fituar, duke marrë tri pikët që i duheshin dhe do ndjekë më e qetë vazhdimin e mëtejshëm të ecurisë së kupës. E rëndësishme është që ajo të kalojë në turin tjetër të këtij kompeticioni. Rezultati 4-2 në favor të saj në Ruzhdi Bizhuta e tregon qartë epërsinë që kanë pasur kuqeblutë, të cilët e kishin vlerësuar seriozisht ndeshjen. Trajneri Josa i druhej ndonjë të papriture dhe prandaj vendosi të mos rrezikonte.
E thotë këtë edhe vetë ai, kur shprehet: Kemi luajtur thuajse me formacionin tonë më të mirë, sepse kërkonim tri pikët. Vllaznia nuk e ka luksin që të aktivizojë në ndeshje të tilla 11-shen e dytë, sepse pikët pastaj do të viheshin në diskutim, prandaj dhe me përjashtim të lojtarëve që ishin të pamundur për të luajtur, të tjerët janë aktivizuar të gjithë.
Megjithatë, mendoj se morëm një fitore më të lehtë nga sa e mendoja, por për ne ka rëndësi marrja e tri pikëve. Formacioni që ai ka hedhur në fushë, e vërteton më së miri këtë gjë. Kanë luajtur Smajli, Sykaj, Popoviç, Gocaj, Muça, Sukaj, Vajushi etj.
Flamurtari Planet janë bërë natyrshëm për ndeshjen e radhës, atë që shkodranët do të luajnë nesër në Vlorë ndaj Flamurtarit. Trajneri Josa nuk ka dëshirë të vendosë një paralelizëm mes dy takimeve, prandaj dhe shprehet se takimi i Elbasanit nuk i ka vlejtur aspak atij të Vlorës. Ajo në Elbasan ishte tjetër gjë dhe nuk do ti vlejë aspak ndeshjes tjetër, sepse në Vlorë do të jetë tjetër gjë krejtësisht.
Nëse në Elbasan morëm një fitore pa shumë mund ndoshta, ndaj Flamurtarit, një nga ekipet më të mira të vendit, do të jetë tjetër gjë. Kundërshtari është shumë më i fortë, prandaj dhe vështirësia e ndeshjes shumë më e madhe, – ka thënë timonieri i kuqebluve. Po cilat janë pretendimet e Vllaznisë për takimin e nesërm? Gjërat duken më se të qarta: do të shkohet për të mos dalë pa pikë.
Kjo edhe për të rregulluar disi imazhin e skuadrës, e cila këtë kampionat ende nuk ka arritur të marrë pikë në ndeshjet në transfertë. A do ndodhë kështu edhe në Vlorë? Këtë askush nuk mund ta thotë, por një gjë është e qartë: shkodranët do shkojnë për të zhvilluar një lojë të bukur dhe me synimin e qartë për të marrë pikë.
Transferta Për trajnerin Josa, e rëndësishme është që futbollistët të kalojnë lodhjen e ndeshjes së kupës, ndërsa ata të tjerët që kanë pasur probleme shëndetësore të rikuperohen. Lojtarët kanë pasur lodhje nga rruga e gjatë, pasi ndeshja ishte në Elbasan, po ashtu do udhëtojmë sërish drejt Vlorës dhe prandaj e rëndësishme është të shohim sa do ta kenë kaluar lodhjen futbollistët.
Shpresoj që të kem të gatshëm edhe lojtarët që nuk luajtën për kupë, në mënyrë që ndaj Flamurtarit të synojmë të bëjmë më të mirën që të mos kthehemi pa pikë, – ka thënë në fund tekniku i kuqebluve.
Sukaj-Vajushi, po tjetër kush shënon te Vllaznia?
Edhe në Elbasan sërish ata të dy protagonistë. Xhevahir Sukaj dhe Armando Vajushi, pavarësisht ndonjë momenti të keq dhe ndonjë rasti të humbur, sërish janë shpëtimtarët e skuadrës shkodrane. Edhe dy ditë më pare, në ndeshjen e kupës kanë shënuar sërish ata. Vajushi golin e parë, ndërsa Sukaj dy të tjerë. I katërti është plotësuar nga një mesfushor me tipare sulmuese si Djepaxhia.
Ajo që mbetet si diskutim në gjithë këto javë të para të fillimit të këtij sezoni është mosshënimi i golave nga mesfushorët apo dhe mbrojtësit e kësaj skuadre. Ata janë shumë të rrallë dhe e gjithë pesha në këtë drejtim bie pikërisht mbi dyshen e sulmit Sukaj-Vajushi. Një gjë është më se e qartë deri më tani tek kjo skuadër: nëse nuk shënojnë ata, Vllaznia kurrsesi nuk mund të fitojë.
Mbrojtësi Smajli me kartonë, mungon në Vlorë
Për ndeshjen e nesërme ndaj Flamurtarit, formacioni kuqeblu do të ketë një mungesë të rëndësishme. Pikërisht atë të Smajlit, i cili ka plotësuar numrin 3 të kartonëve të verdhë me atë që mori ndaj Tiranës të shtunën e kaluar. Prandaj dhe nuk do të jetë i gatshëm për të luajtur në Vlorë. Për këtë arsye, në ndeshjen e kupës ndaj Elbasanit jo më kot trajneri Josa e kishte spostuar Smajlin në mesfushë në krahun e djathtë.
Kjo për të provuar në rolin e mbrojtësit të djathtë pikërisht Gocajn, sepse ai mendohet të luajë në Vlorë në këtë vend. Në mesfushë ndërkohë mund të aktivizohet në të djathtë Djepaxhia dhe në të majtë Bardulla, kurse në pozicionet e tjera nuk do ketë ndryshime, gjithnjë nëse Vujadinoviç e Petroviç e kalojnë gjendjen gripale dhe bëhen gati për të luajtur.
