Tadiç kërkon mbështetjen e Kinës dhe Rusisë për bisedimet
BEOGRAD - Presidenti serb, Boris Tadiç, kërkon mbështetjen e Rusisë, Kinës dhe vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit për mbështetjen e vazhdimit të bisedimeve të mëtejshme për statusin e Kosovës. “Pres disa nisma dhe njëra prej tyre është vazhdimi i bisedimeve, pres që vende të tjera të mbështesin këtë iniciativë, e veçanërisht Kina”, - është shprehur Tadiç në Beograd. Më tej ai është shprehur se derisa të jetë president, kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Por Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kanë hedhur poshtë një kërkesë të tillë.
Partia Radikale Serbe, pro bazave ushtarake ruse
Lideri i Partisë Radikale Serbe, Tomisllav Nikoliç, është shprehur pro krijimit të bazave ushtarake ruse në Serbi. Sipas tij, prania ruse do ta forconte pozicionin serb lidhur me statusin e Kosovës dhe do të largonte përgjithmonë kërcënimin nga NATO-ja. Nikoliç është shprehur për gazetën “Dnevnik” të Novi Sadit se nëse Kosova bëhet e pavarur, Serbia duhet të ndërmarrë bllokadë totale, përfshirë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave. Partia Radikale Serbe është partia më e fortë në Parlamentin e Serbisë dhe kundërshton afrimin e Serbisë me Bashkimin Europian dhe me NATO-n.
18 Dhjetor 2007