E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanabis në fshat, pranga kryeplakut



Kultivimi i bimës narkotike, kanabis sativa, u ka kushtuar jo vetëm pronarëve të parcelave, por edhe kryeplakut të fshatit.

Policia e Korçës bëri të ditur se dy ditë më parë është zbuluar një parcelë me kanabis në afërsi të fshatit Mbreshtan të rrethit të Kolonjës. Pas asgjësimit të bimëve, blutë nisën hetimin për identifikimin e kultivuesve, nga ku më pas arrestuan kryeplakun e i këtij fshati, Kujtim Rushiti, 47- vjeç, si dhe dy bashkëfshatarët e tij, Aqif Dodo dhe Etem Beqo. Sipas policisë, tri personat janë arrestuar si përgjegjës për mbjelljen e parcelës me bimët e ndaluara, në një tokë malore midis pyllit. Të njëjtat burime bënë të ditur se kryeplaku i këtij fshati u prangos me akuzat ‘shpërdorim të detyrës’, ‘moskallëzim krimi’ si dhe ‘kultivim të bimëve narkotike’. Ndërsa dy bashkëfshatarët e tij janë arrestuar vetëm me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike. “Pas një aksioni të kryer në vendin e quajtur “Lisa”, në afërsi të fshatit Mbreshtan, ekspertët e sektorit të luftës kundër drogës zbuluan dhe më pas asgjësuan 559 rrënjë bimë narkotike, e cila dyshohet të jetë canabis sativa”, - bëri të ditur policia e Korçës. Sipas burimeve, pas asgjësimit të bimëve narkotike, blutë kanë qëndruar në vëzhgim dhe kontroll për dy ditë me radhë, derisa arritën të identifikonin si kultivues të tyre, shtetasit Aqif Dodo dhe Etem Beqo. Kryeplaku i fshatit është arrestuar për faktin se është i detyruar në bazë të ligjit të kallëzojë mbjelljen e këtyre bimëve. Ai është arrestuar madje edhe si i përfshirë në kultivimin e tyre. Sipas policisë, edhe një tjetër person është i përfshirë në mbjelljen e bimëve. Ali Dedgjoni, 44- vjeç, banues në Memaliaj të Tepelenës, është gjithashtu kultivues i këtyre bimëve narkotike. Ai është shpallur person në kërkim nga policia e Korçës. Mësohet, se blutë kryen operacionin për arrestimin e tyre, pasi kishin siguruar më parë të dhëna në rrugë operative për mbjelljen e rrënjëve. Policia shkoi në vend për të verifikuar sinjalizimin e dhënë dhe konstatoi se ai kishte qenë i saktë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›