E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, shembet masivi i kromit, 1 vdes një tjetër plagoset



KUKES- Tentativa për të nxjerrë mineral i ka kushtuar jetën një banori të komunës Surroj në rrethin e Kukëisit, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë dhe ndodhet në spitalin e këtij rrethi. Sipas policisë së Kukësit, ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:30. Sefer Ademi nga fshati Aliaj në komunën e Surrojit gjeti vdekjen teksa po rrëmonte për të nxjerrë mineral kromi. Ai është gjendur poshtë një maasivi, kur papritur është shembur duke e zënë atë poshtë. Për pasojë, viktima ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Shkëputja e masivit të mineralit plagosi rëndë edhe bashkëfshatarin e tij Miftar Sina, 40 vjeç. Ndihma e dhënë nga banorët ka qenë e kotë pasi sasia e gurëve ishte aq e madhe sa trupi i viktimës Ademi, është nxjerrë disa orë më vonë. Ata arritën të nxjerrin të gjallë vetëm 40- vjeçarin të cilin e nisën menjëherë në spitalin e Kukësit. Një grup ekspertësh të policisë së Kukësit mbërritën në vendin e ngjarjes dhe nisën hetimin. Mësohet se nuk është hera e parë në këtë zonë e incidenteve të tilla ku banorët të cilët për të fituar bukën e gojës janë të detyruar të punojnë për nxjerrjen e kromit. Në Surroj nuk ka një minierë të mirëfilltë, por banorët privatisht grumbullojnë mineral duke e shitur tek privatët. Për këtë vit për rajonin e Kukëisit, kjo është viktima e katërt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›