E Diel, 1 Nëntor 2026

Miku i Shkëlzen Berishës emërohet prefekt i Tiranës


Tahiri: Keltis Kruja është mik i ngushtë i djalit të Berishës dhe Rrahman Selmanllarit. Emërimi, për afera korruptive

TIRANË - Partia Socialiste ka denoncuar dje emërimin e njërit prej shokëve të djalit të Kryeministrit, Shkëlzen Berishës, në postin e prefektit të Tiranës. Me vendim të Kryeministrit Berisha, Ruzhdi Keçi ka lënë postin e prefektit, duke i hapur rrugë njeriut që vjen nga forumet rinore të PD-së, Keltis Kruja. Edhe pse vetëm 32 vjeç dhe pa ndonjë eksperiencë në poste drejtuese, Kruja do të drejtojë qarkun më të madh në vend. Por, sipas socialistëve, ai është vënë aty për të vjedhur.

"Sali Berisha emëroi prefekt të Tiranës shokun e ngushtë të Shkëlzenit (i biri) dhe Rrahmanit (Rrahman Selmanllari, mik i Shkëlzen Berishës dhe personazh i implikuar në çështjen e Gërdecit), duke dhënë dëshminë e radhës për pushtetin abuziv dhe financiar, të cilin ai e përdor në mënyrë nepotike, klienteliste dhe korruptive. Është tashmë e qartë për të gjithë se shteti shqiptar dhe qeveria e shërbimit dhe shërbesave është nënshtruar tërësisht në shërbim të Shkëlzenit, Argitës, Rrahmanit, e çdo sekseri tjetër që u bindet verbërisht interesave korruptive të Sali Berishës dhe familjes së tij",- tha dje deputeti i zgjedhur Saimir Tahiri.

Ky është emërimi i parë i Kryeministrit Berisha në mandatin e ri, por sipas PS-së, "është emërimi i parë për mandatin e ri qeverisës tërësisht të pamerituar dhe vjedharak, është kryekëput simbol i filozofisë së pushtetit që ka karakterizuar mazhorancën e PD-së në të shkuarën e që fatkeqësisht kështu do vazhdojë edhe për ditët që i mbeten kësaj qeverie". Socialistët e kanë konsideruara emërimin e Krujës duke e cilësuar si dëshminë e radhës për pushtetin abuziv dhe financiar, të cilin ai e përdor në mënyrë nepotike, klienteliste dhe korruptive.

"Është tashmë e qartë për të gjithë se shteti shqiptar dhe qeveria e shërbimit e shërbesave është nënshtruar tërësisht në shërbim të Shkëlzenit, Argitës, Rrahmanit, e çdo sekseri tjetër që u bindet verbërisht interesave korruptive të Sali Berishës dhe familjes së tij. Shqipëria mbahet peng nga fëmijët dhe familjarët e Kryeministrit, ndërkohë që institucionet publike, ministritë, policia, dogana dhe gjithçka varet nga Kryeministri, janë vënë në shërbim të interesave pasurore të një grushti njerëzish, që përveç lidhjes së gjakut, i lidhin tashmë dhe interesat klanore për të vjedhur pasuritë e Shqipërisë dhe shqiptarëve",- tha dje Tahiri.

Deputeti socialist ka akuzuar Shkëlzen Berishën si arkitektin e Gërdecit, ndërsa Argita Maltezin si paradhoma e taksës familjare. Sipas tij, Sali Berisha vazhdon praktikat e atij që është peng i pushtetit korruptiv të fëmijëve të tij, duke emëruar prefekt të kryeqytetit një njeri që kontribut të vetëm ka shoqërinë e mirë me Shkëlzenin dhe Rrahmanin.

"Partia Socialiste është e vendosur të demaskojë në sytë e publikut këto praktika nepotike dhe korruptive. Pushteti feudal e klanor i Sali Berishës do marrë fund një herë e mirë së bashku me pushtetin paralel të Shkëlzenit, Argitës, Rrahmanit e të gjithë atyre që kanë guxuar e vazhdojnë ende të kafshojnë e rrjepin pasurinë e shqiptarëve për llogari të xhepave të tyre",- tha Tahiri.


Kush është Keltis Kruja

Prefekti i sapoemëruar i kryeqytetit është vetëm 32 vjeç dhe ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në vitin 2003. Aktualisht, Kruja vazhdon studimet pas universitare për Administrim Publik. Përpara tij, në postin e prefektit ishte Ruzhdi Keçi, i cili ka qenë edhe prefekti më jetëgjatë. Ndërkohë, Kruja do të jetë prefekti më i ri që merr këtë post. Deri tani Kruja ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe nuk dihet nëse do të vazhdojë apo jo që ta mbajë këtë post edhe në të ardhmen.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›