E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Qeveria të gjejë eshtrat e 4 mijë të pushkatuarve"

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

"Qeveria shqiptare duhet të na ndihmojë dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për të gjetur eshtrat e 4 mijë të pushkatuarve shqiptarë në kohën e regjimit komunist".Ka qenë ky apeli i ish të burgosurve e të përndjekurve politikë gjatë gërmimeve në fshatin Kuç të Shkodrës për gjetjen e eshtrave të 2 ish të burgosurve, të cilët në qershorin e vitit 1984 u dënuan me pushkatim. Shoqata e ish të përndjekurve dhe të burgosurve politike ka qenë iniciatore e këtyre kërkimeve, në bazë të informacioneve të marra në rrugë gojore se dy nga pushkatuarit e revoltës në burgun e Qafë Barit ishin groposur në brigjet e lumit Kir pranë fshatit Kuç. Megjithë gërmimet e bëra paraditen e djeshme nuk u arrit që të gjendeshin dot eshtrat e dy të pushkatuarve, Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja, atëherë vetëm 32 vjeç. Kjo gjë bëri që përfaqësuesit e shoqatës së ish të përndjekurve politikë të theksonin se gjetja e eshtrave të pushkatuarve nuk duhet të mbetet vetëm një iniciativë personale e kësaj shoqate dhe e të afërmve të atyre. Ata theksuan se qeveria shqiptare duhet të bëjë përpjekjen maksimale për t'u kthyer të afërmve eshtrat e njerëzve më të dashur, të cilët u masakruan në mënyrë të pamëshirshme nga regjimi i asaj kohe dhe sot akoma nuk kanë një varr ku t'u vendoset një tufë me lule e të kujtohen me respekt për sakrificat e tyre.
Dy të pushkatuarit Sokoli dhe Ndoja, të cilët u varrosën në qershorin e vitit 1984, në brigjet e lumit Kir edhe pse ishin të burgosur u dënuan me dënim kapital me vdekje, pasi ishin ndër organizatorët e revoltës në burgun e Qafë Barit. Më 22 maj të vitit 1984, rreth 700 të burgosur organizuan një protestë kundër dhunës që ushtrohej çdo ditë mbi ta nga pushteti i asaj kohe. Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja, dy të rinj nga rrethi i Dukagjinit të Shkodrës ishin edhe iniciatorët e kësaj revolte, të cilët një muaj më vonë u dënuan me dënimin kapital, pushkatim. Trupat e tyre u varrosën në një fushë të fshatit Kuç, 5 km larg qytetit të Shkodrës. Familjarët e dy viktimave vendin e varrosjes së eshtrave e kishin mësuar në rrugë private nga persona, të cilët kishin marrë pjesë në groposjen e trupave të tyre. Megjithë përpjekjet e ditës së djeshme, edhe pse nuk u gjetën eshtrat e tyre, shpresa se të paktën është lokalizuar vendi se ku janë varrosur i mban optimist familjarët e tyre se eshtrat e tyre do të gjenden.
Ndërkohë, akoma mbeten të pazbardhura vendet e varrimit të trupave të 4 mijë të pushkatuarve të tjerë me dhe pa gjyq, në shkallë vendi. Shoqata e ish-të përndjekurve dhe burgosurve politikë, ish të burgosurit dhe familjarët e të pushkatuarve i bëjnë thirrje Qeverisë që gërmimet për gjetjen e eshtrave me qëllim që secili prej tyre të ketë një varr ku t'i qajnë familjarët e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›