Në 13 orët e fundit në të anët e pikës kufitare të Kakavijës kanë qarkulluar mbi 11 mijë shqiptarë

Mbi 6 mijë emigrantë shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Greqi, kanë hyrë në atdhe gjatë 13 orëve të fundit të ditës së sotme, ndërmjet pikës së kalimit kufitar të Kakavijes, rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, ndërkohë që rreth 5000 të tjerë, pas pushimeve verore, janë nisur drejt shtetit fqinj po gjatë kësaj periudhe kohore. Burime zyrtare nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit për Qarkun e Gjirokastrës, pohuan se gjatë 13 orëve të fundit kanë hyrë për në territorin shqiptar mbi 6000 shtetas, 1350 automjete dhe 35 autobuzë, ndërkohë që në të njëjtë periudhë kohore kanë qarkulluar drejt Greqisë rreth 5000 shtetas, 750 automjete dhe 32 autobuzë". Po të njëjtat burime, theksuan se në pikën e kalimit kufitar të Kakavijes aktualisht janë në shërbim 6 sportele në hyrje dhe 6 në dalje, ndërsa në anën greke shërbejnë 3 sportele në dalje dhe 4 për në hyrje. “Falë bashkëpunim midis autoriteteve kufitare të dy vendeve fqinjë, gjatë ditës së sotme nuk janë vërejtur në asnjë moment radhë të gjatë pritje”, nënvizuan burimet e mësipërme. Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës, krahas pikës së kalimit kufitar të Kakavijes, funksionon me kohë të plotë edhe pika e kalimit kufitar "Tre Urat", rreth 22 kilometra larg qytetit të Përmetit. Ndërsa pika kufitare e Sopikut në komunën e Pogonit, rreth 50 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, funksionon vetëm për këmbësorët.
...