E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kanadaja e artë edhe në hokej

Olimpiada Dimërore 2010 zyrtarisht mund të quhet e suksesshme për nikoqirin, pasi Kanadaja e fitoi medaljen e artë për meshkuj në finalen e hokejit, duke mposhtur SHBA-në 3-2. Sidney Crosby shënoi gol në lojën shtesë për t’i siguruar Kanadasë medaljen e artë. “Nuk ndiej se është e vërtetë.

Ndihem sikur jam në ëndërr, është ndjenjë e jashtëzakonshme”, tha Crosby. Jonathan Toews shënoi në periudhën e parë, ndërsa Corey Perry e kaloi Kanadanë në epërsi 2-0. SHBA e ngushtoi disavantazhin me golin e Ryan Kesler, ndërsa Zach Parise i barazoi shifrat 2-2 vetëm 24.4 sekonda para fundit të kohës së rregullt.

Kanadaja priti tetë vjet për të fituar përsëri medalje të artë në hokej, që ishte e 14-ta për ta gjatë këtyre Lojërave. Në ditën e fundit të Olimpiadës u zhvillua edhe gara në vrapime me ski në 50 kilometra. Norvegjezi Petter Northug fitoi medaljen e tij të dytë të artë në kohë prej 2 orë, 5 minuta, 35.5 sekonda. Axel Teichmann nga Gjermania përfundoi i dyti, ndërsa medalja e bronztë i takoi suedezit Johan Olsson.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›