E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sadiku rikthehet te Kosova (V)

Burim Sadiku është rikthyer te Kosova e Vushtrrisë, pasi e kreu fazën përgatitore me Prishtinën, me të cilën kishte nënshkruar kontratë dyvjeçare. Vushtrriasit vendosën ta rikthejnë portierin e tyre, pasi e posedojnë librezën e tij. Ata e konsiderojnë mjaft të rëndësishëm këtë portier, pasi që nuk kanë alternativë për të.

“Futbollisti vetëm ka stërvitur me Prishtinën dhe është kthyer te ne. Vetë Sadiku ka kërkuar të rikthehet te ne, ngase nuk ishte i kënaqur te Prishtina. Librezën e tij e mbajmë ne dhe ai do të jetë pjesë e jona në vazhdim të kampionatit”, ka thënë nënkryetari i vushtrriasve, Fadil Krasniqi.

Në anën tjetër, prishtinasit ende shpresojnë që ta kenë në dispozicion në pranverë portierin Burim Sadiku. Ata e shohin si të rregullt transferimin e tij te Prishtina, në bazë të marrëveshjes së të dyja klubeve. Bardh e kaltrit nga kryeqyteti janë në pritje të një përgjigjeje definitive nga ana e Sadikut.

“Kjo punë është e kryer me marrëveshje. Burimi ka nënshkruar me ne. Është një situatë e papranueshme. Sadiku na ka thënë se do të përkujdeset vetë që ta zgjidhë çështjen dhe se do ta kryejë punën me Kosovën për të luajtur me ne në pranverë. Ne po presim që ai të na lajmërohet dhe t’i bashkohet ekipit”, theksoi drejtori i përgjithshëm i Prishtinës, Edmond Rugova.

Derisa vushtrriasit dhe prishtinasit japin versione të ndryshme, vetë Burim Sadiku e ka sqaruar për Express situatën. Ai thotë se vendosi të mbetet te vushtrriasit pas insistimit të tyre.

“Unë sot (të hënën) shkova te zyrtarët e Kosovës për t’ua kërkuar librezën, që të më lironin. Por, ata ishin këmbëngulës që unë të mbetem aty dhe vendosa që në pranverë të luaj me Kosovën, pasi që nuk dëshiroj ta lë në këtë gjendje klubin ku jam rritur. Shumë shpejt do ta lajmëroj edhe Prishtinën për vendimin tim, nuk besoj se do të dalë ndonjë problem”, tha portieri vushtrrias.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›