E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanadaja, njëra nga shtatë fuqitë ekonomike të botës, i kërkon kryeministrit Berisha lehtësimin e kushteve për investime

Kryeministri Sali Berisha ka marrë një mesazh urimi nga homologu i tij kanadez, Stephen Harper, i cili i shpreh kreut të ekzekutivit shqiptar padurimin për të bashkëpunuar në sfida vendimtare, kryesisht për thellimin e investimeve në sektorin e burimeve natyrore

Kryeministri Sali Berisha, në vijim të urimeve të shumta nga personalitetet më të larta të politikës botërore, me rastin e rikonfirmimit në krye të qeverisë shqiptare, është përshëndetur edhe nga kryeministri i Kanadasë, z. Stephen Harper.

Kryeministri kanadez, Harper, në urimin e tij i shpreh homologut Berisha suksese në sfidat e ardhshme vendimtare dhe kurorëzimi me sukses i tyre, siç edhe ndodhi vitin e kaluar, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO. Përshëndetjet e tij, kryeministri kanadez, i shprehu nëpërmjet kryetarit të Senatit, Noel Kinsella, duke vlerësuar dhe rolin e Kanadasë, në mbështetje të aspiratës integruese të Shqipërisë.

“Jam i kënaqur t’Ju shpreh përshëndetjet e mia më të përzemërta me rastin e vizitës në Republikën e Shqipërisë të Kryetarit të Senatit të Kanadasë, Noel A. Kinsella. Unë gjithashtu shfrytëzoj këtë rast për t’Ju uruar për rizgjedhjen Tuaj si Kryeministër i Shqipërisë në verën që kaloi. Siç e dini, Kanadaja mbështeti me forcë anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) dhe unë isha shumë i lumtur dhe mirëprita hyrjen në Aleancë të Shqipërisë, në Prill 2009, në Samitin e Strasburg-Kehl. Unë jam i bindur plotësisht që zgjerimi e forcon Aleancën e NATO-s dhe do të na ndihmojë në përballimin e sfidave të reja në fushën e sigurisë”, shpreh kryeministri Harper.

Ai nënvizon se vizita në Republikën e Shqipërisë e Kryetarit të Senatit dhe delegacionit të tij do të jetë një tjetër mundësi për të thelluar lidhjet që kanë dy vendet tona. “Unë nënvizoj në këtë drejtim investimet domethënëse që Kanadaja ka bërë në Shqipëri në sektorin e burimeve natyrore. Unë pres me kënaqësi të vazhdojmë forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe gjetjen e mundësive të reja për të punuar së bashku në fusha me interes të përbashkët”, përfundon mesazhin e tij të urimit, kryeministri kanadez, Stephen Harper, drejtuar kryeministrit Sali Berisha, me rastin e rikonfirmimit në krye të qeverisë shqiptare. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›